Connect with us

Shkrime

Rrëfimi – Nga Monika Stafa

Në vitin 1978, Shqipëria ishte një vend që jetonte me ideologji, tipike për shoqëritë me ndërgjegje kolektive, dhe jo me ide, që janë tipike për shoqëritë e lira me njeriun në qendër, me individin që projekton botë të re.

Shqipëria ishte e izoluar, e varfër dhe ku pasionet e të rinjve jo pak herë merrnin fund shpejt si tek romani “Lulet e mollës” i shkrimtarit britanik John Galsworthy, shkruar në vitin 1916.

Ai as që e kish cuar ndërmend se në një vend si Shqipëria, vajzat pinin helm kur nuk ishin të lira të dashuronin djalin që donin. Ndoshta ato kishin të drejtë. Jeta ishte e zymtë dhe s’kishin c’bënin tjetër. Shekspiri kish prodhuar histori të ngjashme, por se do të pillte një regjim diktatorial të tilla sublimime, kush e mendonte?!

Të rinjtë sot këtë panoramë nuk e kuptojnë dot. Ndaj shumëve nga ne apo më të rritur, u del detyrë të rrëfejnë.

Po si nis rrëfimi?

Gratë ndryshuan papritur shëmtuar. Gati në mënyrë të pabesueshme, ato nga të ëmbla nëpër foto, të bukura dhe elegante, u bënë të ashpra, të ftohta dhe u humbi kurmi femëror. Nga fustanet dekolte kaluan tek kostumet me funde të gjatë ose bluza të mbërthyera deri në fyt. Kulmi ishte kur flokët i prenë shkurt. Dhe papritur lulet e mollës i zhdukën nga tryezat e punës. Aromat e tyre i mbanin fshehur poshtë mbulesave gjatë netëve të bardha.

Gratë dhe burrat nuk kishin shumë ndryshim nga njëri -tjetri dhe paaftësia për të gjetur rrugë të reja tundimi, e bënte jetën të mërzitshme. Ajo nuk ishte e lehtë për askënd, por si në të gjitha kohërat, edhe më e vështirë ishte për gruan.  Të gjitha ato, me ngjyrime politike apo jo, kuptuan se dëshironin të njëjtën gjë: të ishin të lira… Dhe nëse, për të qenë të lira, do duhej të shkelnin ligjin, ato e treguan se ishin të gatshme ta bënin, pavarësisht cmimit.

Ndodhi ajo që Marksi dhe Engelsi, në “Manifestin e partisë komuniste”, e patën quajtur “një fantazmë që i vërtitet Europës” – fantazma e komunizmit. Me anë të gogolit komunist njerëzve mund t’u mbyllet goja dhe t’u ndalohen pyetjet. Vazhdon edhe sot.

Kjo do të thotë se e shkuara ende nuk shihet si histori, por si ideologji. Ka momente në jetë kur koha duket se qëndron në vend. Çastet kur i kujtojmë vetëm në një sekondë. Të harrojmë apo të kujtojmë…

Kujt nuk i ka ndodhur kështu? Ta harrosh të kaluarën tënde përgjithmonë. Ta fshish atë në një cast të vetëm. Po si mund të jesh kaq naiv e të besosh se mund t’ia dalësh? Kjo nuk ndodh. Asnjëherë. Sepse gjithmonë vjen dikush, aty, pranë teje si një shenjë për të ta kujtuar atë. Ndaj dhe ne rrëfejmë. Jo për vete, por për kohën dhe asaj që quhet kujtesë kombëtare.

Librat të mësojnë të harrosh, ngjarjet dhe personazhet brenda shtjellës së përmbajtjes kanë fuqinë të të japin besimin të shkëputesh nga cdo gjë që ty të duket sikur nuk e harron dot. Ne e dimë se është gjithmonë mirë të kujdesesh për veten, të shmangësh miqësitë e tepërta, të braktisësh kujtimet që të lëndojnë apo dhe të harrosh gjithcka.

Por që të harrosh nuk është ngaherë e lehtë. Ndonjëherë jeta na ndjek dhe asaj nuk mund t’i shpëtojmë dot. Çfarëdo që të bëjmë, sado të luftojmë të ndryshojmë jetën tonë, pamjen apo dhe emrin, janë kujtimet ato që mbeten gjithmonë tek ne. Dhe ato më të rëndësishmet nuk mund t’i harrojmë kurrë.

Në fëmijëri, mes kukullave plot ngjyra, atje ku mamat nuk visheshin më bukur, në gjimnaze ku jeta plot humor ngaste lirinë, apo dhe në biblioteka ku pavarësisht syrit të ashpër të bibliotekares, pritja e bukur e shokut e shenjtëronte këtë vend sikur të ishe në një kishë.

Gjithmonë duhet të mendojmë se nëse nuk e rrëfejmë dëmin që na është bërë, do biem në kurth. E shkuara do na bëhet e tashme nga ku nuk do dalim dot.

 

Advertisement