Kosova
Analistët komentojnë zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq të hënën në mbrëmje ka lënë të nënkuptohet se Serbia e ka pranuar planin franko-gjerman për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Vuçiq ka përmendur penalizime të rënda për Serbinë përfshirë edhe bllokimin e proceseve integruese në Bashkimin Evropian nëse nuk e pranon planin në fjalë.
Analisti Ylli Hoxha ka thënë se pas pranimit eventual të Vuçiqit për planin franko-gjerman, Kurti do ta ketë të vështirë të refuzojë formimin e Asociacionit të Komunave serbe.
“Kurti do ta ketë shumë të vështirë që ta refuzojë Asociacionin. Për ta tejkaluar këtë situatë duhet të ketë dialog me spektrin politik në Kosovë apo të shkojmë në zgjedhje të reja parlamentare”.
Edhe ish-ministri Dardan Gashi thotë se Vuçiqi po përgatit trasenë për pranimin e planit franko-gjerman.
“Kjo që bëri Vuçiq është një lëvizje interesante nga ana e Serbisë që e vendos Kurtin në një situatë të vështirë”.
Por ai thotë se me këtë plan nuk mund të pengohet më njohja e Kosovës.
“Nëse Serbia nënshkruan një dokument në lidhje me këtë plan, nuk do të ketë arsye që pesë vendet e BE-së të mos e njohin Kosovën. Ne mund ta lexojmë si të duam, por në këtë marrëveshje është edhe njohja”, shtoi Dardan Gashi.
“Nëse ne formojmë Asociacionin dhe nuk marrim njohje direkte nga Serbia, atëherë çfarë kemi fituar. Çfarë garancie ne kemi që nëse pranojmë formimin e Asociacionit, do të ketë marrëveshje finale. Ndoshta na mbetet Asociacioni në derë dhe na defunksionalizohet tërësisht shteti dhe nuk kemi asgjë”, shtoi Dibran Hoxha.
Nga ana tjetër, analisti Ismail Tasholli thotë se edhe në Kosovë edhe në Serbi tashmë e kanë pranuar planin franko-gjerman.