Connect with us

Bota

Tërmeti në Turqi e Siri/ Thellohet bilanci…mbi 1500 viktima

Një tërmet i fuqishëm 7.9 ballë ka goditur kufirin mes Turqisë jugore dhe Sirisë duke shkaktuar më shumë se 1500 viktima dhe mbi 7000 të plagosur. Lëkundjet që zgjatën më shumë se 2 minuta tronditën banorët pas orës 2 të mëngjesit të së hënës. Epiqendra ishte pranë qytetit të Gaziantep me thellësi rreth 7 km. Kjo ka shpallur gjendje emergjence në Turqi. Liderët ndërkombëtarë janë bërë bashkë për t’iu gjendur pranë Turqisë dhe Sirisë dhe për t’i ofruar ndihmë. Ndërkohë që dy tërmete të tjera shumë të fuqishme janë regjistruar në Turqinë qendrore, të magnitudave 7.7 dhe  5.9 të shkallës Rihter. Qendra e këtyre dy pasgoditjeve ka qenë në Elbistan, pak më shumë se 125 kilometra në vijë ajrore nga Gaziantep.

Në Turqi, zyrtarët konfirmuan 912 viktima dhe mbi 5383  të plagosur nga tronditjet në 10 qytete. 284 viktimat në Turqi raportohen nga Kahramanmaraş, Gaziantep, Şanlıurfa, Dijarbakır, Adana, Adiyaman dhe Malatya.

Në Siri janë konfirmuar 427 viktima dhe mbi 800 të plagosur në zonat e vendit të kontrolluara nga kurdët. Vdekjet u raportuan në rajonet e Alepo, Latakia, Hama dhe Tartus. Pas tërmetit kishte 8 paslëkundje të fuqishme. Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nisur menjëherë punën për njerëzit e mbetur nën rrënoja por operacioni vështirësohet prej motit të keq me reshje shiu e dëbore. Deri tani nuk raportohen shqiptarë të lënduar.

Tërmeti i fuqishëm është pasuar nga pasgoditje të fuqishme, gjithsej 78 të tilla, ndërkohë që 8 prej tyre nga 4.7 deri në 5.6 ballë. Gjithashtu duhet theksuar se rajoni i tërmetit po përballet gjithashtu me kushte të rënda atmosferike.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan shkruan se do ta kalojnë këtë fatkeqësi së bashku. Lëkundjet e forta janë ndjerë edhe në Liban dhe Irak.

“Ne do ta kalojmë këtë fatkeqësi së bashku. Shpresojmë që së bashku ta kalojmë këtë fatkeqësi sa më shpejt dhe me sa më pak dëme”, tha ai.

Turqia nuk është e panjohur për tërmetet e forta. Shtatë tërmete me mbi 7 ballë kanë goditur vendin në 25 vitet e fundit por tronditjet e së hënës ishin më të fuqishmet. Gjithashtu është tërmeti më i fortë që ka goditur kudo në botë që nga një tërmet 8.1 ballë që goditi një rajon të largët pranë Ishujve ‘Sandëich’ në Oqeanin Atlantik jugor në 2021, duke mos rezultuar në dëme.

Advertisement