Kosova
Tronditet LVV-ja/ A po paralajmërohen largime si në vitin 2018
Pas largimeve të bujshme të vitit 2018, ku shumë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje braktisën këtë subjekt politik duke formuar PSD-në, përçarje të reja po shfaqen edhe tani në sfond.
Deputeti më kritik i këtij subjekti politik, Haki Abazi, pas pakënaqësive dhe kritikave të shprehura deri tani, tani ka lëshuar deklarata ‘bombastike’ kundrejt disa zyrtarëve të LVV-së.
Pakënaqësi me subjektin që përfaqësojnë, për tema të caktuara, kanë shprehur më herët edhe deputetët të tjerë si Eman Rrahmani, Visar Korenica e Gramoz Agusholli.
Por çfarë po ndodh tani? Pse la përçarje dhe a priten largime të reja?
Njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”, tha se mungesa e vlerësimit të punës së deputetëve si dhe mungesa e debatit të brendshëm ka bërë që të ketë pakënaqësi të mëdha. Sipas tij, është e dëshmuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk i pranon qëndrimet ndryshe.
“Rasti i largimit të një grupi deputetësh që më vonë kaluan te PSD, tregon se kushdo që nuk bindet verbërisht, fillimisht izolohet, pastaj edhe largohet. Ka edhe shumë të tjerë brenda grupit të VV-së që kanë shfaqur pakënaqësi me vendimmarrjen, por presin rastin e përshtatshëm që të kundërshtojnë apo edhe të largohen” – tha Jashari