Aktualitet
SPAK sekuestron edhe vilën buzë detit të Arben Ahmetajt në Hamallaj
Pas sekuestrimit të vilës së ish-gruas së Arben Ahmetajt, SPAK ka vënë nën sekuestro një tjetër vilë të ish-ministrit. Bëhet fjalë për një vilë në zonën e Hamallajt. Kjo pronë, ndodhet në rezidencën “Vala Mar” buzë detit, në Hamallaj.
Sot, Prokuroria e Posaçme për Krimin dhe Korrupsionin (SPAK) sekuestroi vilën në Palasë të ish-bashkëshortes së ish-ministrit Arben Ahmetajt, Albina Mançka. Vila numër 73 në kompleksin ‘Green Coast’ do të qëndrojë në sekuestro preventive, ndërsa më herët ish-gruaja e Arben Ahmetaj, ka deklaruar se nuk është pronë e saj.
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është vënë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pas disa muajsh verifikime, SPAK i ka nisur hetimet dhe ka marrë nën hetim Ahmetajn për veprat penale: “korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “fshehje e pasurisë” dhe “pastrim parash”.
Hetimi ndaj socialistit ka nisur si pasojë e bashkimit të dy procedimeve penale, një nga të cilët është procedim i ndarë nga hetimi i SPAK për çështjen e inceneratorit të Elbasanit; e këtij të fundit i është shtuar edhe kallëzimi i bërë nga gazetari Adriatik Doçi, i cili ngrinte dyshime për disa shkelje nga ish-zv.kryeministri. Për çështjen e parë, Ahmetaj po akuzohet për procedurën e ndjekur nga Ahmetaj për dërgimin për miratim në Këshillin e Ministrave të projektit të ndërtimit të inceneratorit dhe dakordësinë e Ministrisë së Financave për ta ndërtuar përmes negocimit pa shpallje.