Aktualitet
Berisha “non grata”, Jozefina Topalli: Kur erdhi Clinton…
Në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës të martën, ambasadorja Yuri Kim komentoi ndër të tjera edhe kandidimin në këto zgjedhje, të figurave që janë vendosur në “listën e zezë” të SHBA-së.
E pyetur në “Debat” rreth deklaratave të kryediplomates amerikane, Jozefina Topalli kujtoi se një veprim të ngjashëm ambasadorja Kim e ka bërë edhe një vit më parë në zgjedhjet e 6 marsit.
Ish-kryeparlamentarja tha po ashtu se shpallja “non grata” e Sali Berishës nga SHBA i kujton një ngjarje historike për shqiptarët.
“Akuzimi i Berishës për korrupsion thelbësor dhe minimin të demokracisë më kujton një gjë. Unë kam qenë kryetare e parlamentit kur erdhi Hillary Clinton në 100 vjetorin e pavarësisë. Ka mbajtur një fjalim që elektrizoi sallën, ajo ka një frazë në mes të fjalimit: Nëse doni të shihni një demokraci funksionale, ejani se do ta gjeni në Shqipëri. Dhe flitet për kohën kur Berisha ishte kryeministër”, tha ajo.
Nisur nga ky rast, Topalli thotë që SHBA duhet ta “ndajë mendjen”, përpara 10 viteve kur Sali Berisha ishte kryeministër, në Shqipëri ose demokracia ishte funksionale, ose po minohej nga kreu i qeverisë në atë kohë.