Shkrime
Ringjallja/ Skicat e Zajednicës ‘ulen’ mbi tavolinë
Kryediplomati i BE-së Josep Borrell lajmëroi se ka organizuar takimin e radhës Kosovë-Serbi në nivel të lartë, për të cilin ka mbetur të caktohet vetëm data.
Dy mysafirët e tij, Kurti e Vuçiq, në tavolinë para vetes së tyre do kenë një draft-statut të Asociacionit, i cili mund të refuzohet nga pala kosovare në qoftë se ai ka ndonjë element që cenon shtetësinë e Kosovës.
Atë do ta prezantojë një grup i dalë nga dakordimi I arritur në vitin 2013, që në përbërje ka katër serbë, kryesuesja e të cilit tashmë është deputete e Kuvendit të Serbisë.
Për këtë grup dhe funksionin e tij gjerësisht ka folur edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
“Sipas dakordimit të vitit 2013, është krijuar një ekip menaxhues, i cili që në vitin 2013, kohë kur është dakorduar themelimi i grupit punues , janë dakorduar edhe termat e referencës për punën e këtij grupi punues. Një prej pikave thotë që grupi punues, i cili krijohet nga Ministria e Pushtetit Lokal, përgatit një draft i cili pastaj prezantohet tek takimi i nivelit të lartë”, – ka thënë zevendeskryeministri
Bislimi tha se Kosova e ka pësuar nga zvarritja që ka bërë ky grup meqë ndërkombëtarët e kanë konsideruar me peshë këtë prezantim.
“Prezantimi i draftit ka fituar një peshë jashtëzakonisht të madhe edhe para partnerëve ndërkombëtarë, të cilët me këtë element kanë bllokuar në njëfarë mënyrë ecurinë e Kosovës në disa progrese europiane që mendojmë se është shumë e gabueshme, shumë e padrejtë, por kështu funksionon politika ndërkombëtare”.
Bislimi ka treguar se si ka ndryshuar edhe përbërja e këtij grupi dhe që në periudha të caktuara ka pasë edhe pezullim të punës.
“Unë mendoj që drafti ka qenë i kryer edhe më herët… ne s’e dimë çfare ka aty. Në grupin menaxhues janë katër persona serbë. Daniela Vujiçiç është kryesuese, dy prej tyre janë që nga viti 2013. Ky grup punues ka pasë mandat të përgatisë një draft dhe mandati i tyre pushon në minutën kur ata e kryejnë prezantimin e draftit. D.m.th mandati i tyre është përpilimi i draftit në bazë të konsultave që kanë zhvilluar me partnerë të interesit. Ata mund të jenë shoqëri civile, të sektorit të arsimit, të shëndetësisë, nuk çon peshë. Pra, ata janë përfaqësues të nominuar nga komunat serbe”.
Por, Bislimi tha se ky draft rrëzohet në momentin që shihet se ka elemente që e cenojnë shtetësinë e Kosovës.
Ai radhiti edhe kriteret që mund të çojnë në Zajednicë , dhe për të cilat tha nuk do pranohen.
Kryenegociatori Bislimi tregoi edhe se cfare do ndodh nëse i thuhet jo këtij drafti në takimin e ardhshëm në Bruksel.
“Nëse ai është i papërdorshëm atëherë ecim me alternativa. Alternativë mund të jetë oferta jonë, mund të jetë një dokument i përbashkët” – deklaroi Bislimi