Connect with us

Lifestyle

Ja çfarë duhet të dini për aknet dhe si mund t’i trajtoni

Akne vulgaris është një sëmundje kronike inflamatore e lëkurës. Zakonisht shfaqen gjatë pubertetit, kur zhvillimi dhe aktiviteti sekretues i gjëndrave dhjamore rritet nën ndikimin e androgjenëve.

Ato shfaqen në vendet ku gjëndrat dhjamore janë më të shumta: balli, faqet, mjekra, shpina, shpatullat dhe pjesa e sipërme e krahëve.

Aknet manifestohen nga një spektër klinik komedonesh të hapura (pika të zeza), komedone të mbyllura dhe lezione inflamatore, si nyje, pustula dhe papula.

Kur zgjidhni terapinë e duhur, është e rëndësishme të merren parasysh shkaqet kryesore të zhvillimit të akneve dhe ashpërsia e lezioneve.

Mjekimi

Retinoidet janë një grup përbërësish që janë themeli i terapisë aktuale të akneve.

Katër retinoidet më të përdorura janë: trethionina, izotretionina, adapaleni dhe tazaroteni. Zakonisht aplikohet një herë në ditë, kryesisht gjatë natës. Rezultatet janë të dukshme pas 2-3 javësh.

Ato janë kundërindikuar gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji.

Antibiotikët lokalë – si eritromicina dhe klindamicina kanë një efekt anti-inflamator dhe antibakterial. Eritromicina disponohet si xhel, tretësirë ose pomadë 2 për qind dhe 4 për qind, dhe klindamicina disponohet si xhel ose locion 1 për qind.

Rekomandohet që antibiotikët lokalë të mos përdoren si monoterapi, për shkak të nxitjes së rezistencës bakteriale, ndaj kombinohen me peroksid benzoil dhe acid azelaik.

Acidi azelaik është një acid dikarboksilik natyral që ka një efekt të butë antibakterial dhe keratolitik. Disponohet si xhel 15 për qind dhe krem 20 për qind. Aplikohet dy herë në ditë për një periudhë prej 4 javësh.

Terapia sistemike

Izotretionina sistematike konsiderohet si ilaçi më i fuqishëm në terapinë e akneve. Rekomandohet të merret me vaktin kryesor.

Efekti anësor më i rëndësishëm i izotretioninës është teratogjeniteti (efekti toksik në embrion), por shfaqen edhe efekte anësore si lëkura e thatë, buzët e plasaritura dhe sytë e thatë.

Përfundim: terapia e akneve është komplekse dhe kërkon një qasje individuale për çdo pacient. Fillon me edukimin e pacientëve për origjinën e sëmundjes, këshillimin për higjienën dhe kujdesin e duhur të lëkurës dhe aplikimin e duhur të medikamenteve lokale ose sistemike. Është e rëndësishme të theksohet se duhen 1-2 muaj për të parë rezultatet e terapisë.

Prandaj, terapia kërkon këmbëngulje dhe durim mbi të gjitha nga pacienti.

Advertisement