Connect with us

Aktualitet

150 mln euro/ Pas Becchetti-t, Shqipëria përballet me një tjetër padi në Arbitrazh

Prishja e një marrëveshje mes një kompanie austriake dhe Shqipërisë, rrezikon të çojë vendin tonë në një tjetër përballje në arbitrazh.

Kompania ‘Ivicom holding’ i kërkon qeverisë shqiptare 150 milionë euro dëmshpërblim për prishjen e marrëveshjes për ndërtimin e një centrali elektrik në zonën e Korçës.

Mësohet se javën e kaluar, Ministria e Financave ka kryer një transaksion me vlerë rreth 150 milionë lekë të vjetra në llogarinë e një studio ligjore suedeze, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në përballjen me kompaninë austriake. Gjithashtu është kryer dhe një pagesë prej 500 mijë euro për konsulencë lidhur me mosmarrëveshjen.

Në vitin 2018, kompania me seli në Austri, “Ivicom Holding” i ka paraqitur qeverisë shqiptare projektin për ndërtimin e një centrali në zonën e Zëmblakut, i cili do të përdorte gazin e transportuar nga gazsjellësi TAP për të prodhuar energji elektrike.

 

 

Ky projekt, i pranuar nga qeveria shqiptare, synonte ndërtimin e centralit me kapacitet 500 megavat, ndërsa do të punësoheshin rreth 400 persona. Kostoja e investimit do të kapte vlerën prej rreth 350 milionë euro.

Investimi nuk është realizuar, për shkak se Ministria e Mjedisit nuk ka pranuar të jap lejen mjedisore.

Pas këtij vendim, ky projekt nuk gjeti zbatim ç’ka e detyroi kompaninë austriake të kërkoi në Gjykatën e Arbitrazhit të Suedisë një dëmshpërblim prej 150 milionë euro.

Kjo nuk është padia e vetme ndaj qeverisë shqiptare në arbitrazh pasi numërohen edhe disa kompani të tjera si ajo gjermane ‘EMS Shipping’, kompanitë “Dondi dhe Kubota”./euronews.al/

Advertisement