Connect with us

Aktualitet

Vrasja e biznesmenit/ Policia aksion në shtëpinë e rivalëve, ja çfarë zbulojnë

Policia e Shtetit ka nisur të kryejë kontrolle pas atentatit ku mbeti i vrarë biznesmeni Ardian Nikulaj në Shëngjin. Mësohet se policia ka kryer kontrolle në Lezhë, në banesat e familjes Balaj, për shkak të përplasjeve që kanë pasur të dyja fiset. Kjo pasi në vitin 2000 dyshohet se persona të fisit Balaj kanë vrarë vëllanë e Nikulajt. Ky krim është pasuar me dy të vdekur nga ana e fisit Balaj, por për krimet në fjalë nuk ka pasur asnjë të arrestuar.

Por, pas kontrolleve të bëra sot, policia ka dalë duarbosh pasi asnjë nga djemtë e fisit Balaj nuk janë gjetur në banesë. Sipas të dhënave, ata ndodhen jashtë Shqipërisë. Megjithatë, hetimet janë fokusuar në këtë pistë, në atë të gjakmarrjes dhe po shqyrtohen detaje mbi vendndodhjen e anëtarëve të fisit Balaj dhe lëvizjet e tyre.

Ardian Nikulaj (Marku) u vra këtë mesditë teksa ndodhej në lokalin e tij në Shëngjin. Një person veshur me jelek fosforeshent, i ngjashëm me atë të Policisë Rrugore, u fut brenda dhe qëlloi në drejtim të Nikulajt. Më pas u largua pasi jashtë e priste bashkëpunëtori me motor. Të dy janë zhdukur pa gjurmë dhe nga çfarë raportohet deri më tani, pasi kanë braktisur motorin, kanë hipur në një mjet tip ‘Range Rover’ me ngjyrë të zezë e targa angleze.

51-vjeçari Ardian Nikulaj rezulton se ka disa biznese në zonën e Lezhës dhe ka qenë gjithashtu pjesë e politikës. Aktualisht ai garonte në listën e anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe më parë ka kandiduar për deputet në Lezhë në listën e PSD-së.

Advertisement