Connect with us

Aktualitet

Aksidentit me një viktimë në Poliçan, ekspertiza: Shishe alkooli në mjet

Detaje të reja kanë dalë sot nga aksidenti i frikshëm që ndodhi mbrëmjen e djeshme në fshatin Plirëz në qytetin e Poliçani, ku një adoleshent gjeti vdekjen dhe 3 të tjerë u plagosën rëndë.

Sipas policisë, automjeti tip Alfa Romeo që drejtohej nga 15-vjeçari Françesko Zylyftari, pasi ka humbur kontrollin ka rrëshqitur fillimisht në asfaltin e rrugës së sipërme të fshatit, më pas ka rënë fillimisht në asfaltin e rrugës së poshtme të fshatit dhe ka përfunduar në oborrin e një banese të zonës.

Sipas policisë, në zonë nuk ka pasur shenja frenimi, gjë që të bën të mendosh se adoleshenti nuk ka mundur të frenojë dhe për shkak të shpejtësisë që ka marrë mjeti gjatë rrëshqitjes përplasja ka qenë e fortë.

Të njëjtat burime konfirmojnë se automjeti tip Alfa Romeo me të cilin po udhëtonin adoleshentët ishte i tejmbushur me shishe birre të boshatisura dhe nga analizat e kryera ka rezultuar së të katër adoleshentët ishin të dehur.

 

 

Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën rurale të fshatit Plirëz në qytetin e Poliçanit, rreth orës 21:35 minuta të mbrëmjes së djeshme.

Një mjet tip Alfa Romeo që drejtohej nga 15-vjeçari Françesko Zylyftari ka rënë nga një lartësi rreth 20 metër.

Si pasojë e aksidentit ka gjetur vdekjen e menjëhershme vëllai i Françeskos, Afisaldo Zylyftari 17-vjeç, ndërkohë që është plagosur Françesko Zylyftari dhe dy shoqet që tyre që ndodheshin me ta në makinë, njëra 14-vjeçe dhe tjetra 16-vjeçe.

Burime nga Spitali Rajonal Berat bëjnë me dije se, një nga vajzat u transportua gjatë natës drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ju nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Ndërkohë që Françesko Zylyftari dhe 16-vjeçarja u larguan në orët e para të mëngjesit drejt banesave të tyre, pas mjekimi që morën në Spitalin e Beratit.

Advertisement