Connect with us

Kosova

Zgjedhjet në Kosovë/ Serbët fituan pa votuar

Drejtori i së ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” e Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviç, tha se fitues të zgjedhjeve në veri të Kosovës janë “populli serb në Kosovë, i cili i bojkotoi ato sepse nuk dëshiron okupimin”.

“Kjo është një disfatë për atë pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që  mbështeti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe deklaroi se do t’i njohë rezultatet” e zgjedhjeve, tha Petkoviç në konferencën për media të mbajtur në Beograd.

Ai tha se, sipas të dhënave të autoriteteve në Serbi, në zgjedhje kanë votuar 13 persona të kombësisë serbe.

Petkovic i quajti zgjedhjet “antidemokratike dhe jolegjitime” si dhe kritikoi Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që lejoi mbajtjen e zgjedhjeve në kontejnerë, që ruheshin nga Policia e Kosovës.

Ai po ashtu tha se “nuk ka rrugë tjetër drejt normalizimit të marrëdhënieve” mes Kosovës dhe Serbisë pa u themeluar Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

I pyetur se çfarë mund të pritet në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të paralajmëruar për 2 maj, Petkoviq tha se presidenti i Serbisë “nëse shkon në Bruksel më 2 maj, do të tregojë se mbron popullin serb, paqen dhe stabilitetin me gjithë fuqinë e tij”.

Advertisement