Connect with us

Kronike

Rrumbullaku ‘urdhëron’ shtimin e kontrolleve për kanabis

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar inspektimin në terren, në kërkim të çdo rrënje kanabis në vendin tonë. Pak javë para nisjes së fluturimeve të monitorimit të territorit prej Guarda Di Finanzas, Rrumbullaku ka nxjerrë në terren trupat policore, me qëllim evidentimin e çdo bime kanabis sative.

Burimet thanë se Muhamet Rrumbullaku u ka kërkuar drejtorive vendore dhe atyre te kufirit, që të shtojnë forcat dhe kontrollet të bëhen në mënyrë periodike.

Mbi 50 dronë u janë shpërndarë drejtorive e kryesisht atyre që në terriorin e saj të mbulimit kanë zona malore.

Porositë e dhëna nga drejtuesi madhor kanë të bëjnë me marrjen e informacioneve kryesisht në rrugë operative për individë, ose grupe kriminale që importojnë fara të bimës narkotike kanabis sativa. Ambientet e hapura dhe ato të mbyllura do të jenë në fokus, ku do të ushtrohen verifikime mbi bazën e hartës digjitale dhe analizën e riskut. Sikundër një vit më parë, do të përdoret sistemi elektronik “GIS-NARKOTIK”.

Ky sistem ofron të dhëna të plota dhe mundëson raporte analitike për kontrollin e territorit, informacionin e paraqitur nga agjenci të tjera ligj-zbatuese, ndjekjen dhe gjurmimin e këtij informacioni.

Prej dy ditësh policia ka vijuar kontrollet në Malësi të Madhe dhe në Krujë. Më shumë së 50 forca policie të Krujës, forcat operacionale të Durrësit dhe 4 dronë janë përdorur në aksionin e fundit anti kanabis të Policisë së Shtetit në zonën e Cudhit në Krujë. Kontrolle intensive janë zhvilluar nga toka dhe ajri, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Në operacionin “Territor i pastër” është evidentuar një rast i tentativës për kultivim të kanabisit, dhe është arritur asgjësimi i 224 fidanë të kultivuar në kubikë.

Advertisement