Aktualitet
Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoj, SPAK dorëzon bisedat e aplikacionit SKY
SPAK dorëzon prova të reja në procesin ndaj Redjan Rrajës, i cili dyshohet se ka pasur rolin e ekzekutorit në atentatin ndaj automjetit të ish prokurorit të Durrësit, ku mbeti i plagosur vetë Arjan Ndoj, miku i tij Aleksandër Laho i njohur si Rrumi, ndërsa viktimë shoferi Andi Maloku.
Prokurorët e posaçëm në një seancë me dyer të mbyllura dorëzuan komunikimet që anëtarët e grupit kriminal kishin në aplikacionin Sky, ku komunikojnë për planin për atentatit ndaj Ndojit dhe Rrumit, komunikime te siguruara nga autoritetet franceze.
Në dosjen e ardhur nga Franca hidhet dritë mbi takimet që të dyshuarit Julian Meçaj, Amar Shkëmbi dhe Endrit Sinani, i njohur me pseudonimin “Diqo”, kanë pasur me Redjan Rrajën, i cili kishte marrë përsipër të kryente ekzekutimin. Nga komunikimet në Sky rezulton se takimet mes të dyshuarit Amar Shkëmbi dhe Rrajës që njihej me pseudonimin “Doku” zhvilloheshin në Nikël të Fushë Krujës.
Redjan Rraja, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, u arrestua fill pas atentatit, pasi gjurmët e tij u gjetën në makinën e krimit, që autorët nuk mundën ta digjnin dot, por e braktisën pranë varrezave të Shkafanës, në Durrës.
Në vendin ku u braktis automjeti u gjetën edhe një palë syze, që mbanin pikërisht gjurmët e ADN-së së Rrajës por edhe maskat dhe armët që përdorën në krim.
me interes për prokurorët ishin dhe bisedat mes anëtarëve të grupit pas arrestimit të Rrajës, kur ata bisedojnë për të shkatërruar provat e AND-së dhe liruar atë nga burgu.
këto prova të reja u kundërshtuan nga avokatët, të cilët pretendojnë se janë komunikime të zhvilluara mes personave të paidentifikuar.
Tre muaj më parë SPAK organizoi aksionin Komploti, ku arrestoi disa prej të dyshuarve si anëtarë të grupit kriminal që kreu atentatin me 1 të vrarë dhe dy të plagosur, ndërsa shpalli në kërkim disa të tjerë, përfshirë dhe Plarnet Dervishajn, të cilin e konsideroi si kreun e grupit.
Së fundmi u arrestua Ramazan Rraja, nipi tjetër i deputetit Rrahman Rraja, pasi ishte shpallur në kërkim për të njëjtën ngjarje.