Politike
Veliaj e paditi, Berisha do sillet me forcë në gjykatë
TIRANË– Për herë të parë në historinë e politikës shqiptare, Sali Berisha mund të paraqitet në një proces gjyqësor me forcë nga Policia. Gjithçka ka të bëjë me padinë për shpifje që ka ngritur ndaj ish kryeministrit, kryebashkiaku Erion Veliaj. Ky i fundit ishte sot i pranishëm në seancën e parë, e ndërsa Berisha mungoi dhe nuk solli as avokatin e tij në seancë. Në përfundim të saj, Veliaj tha se gjykata ka vendosur që Berisha do shoqërohet nga policia në gjykatë në datën 19 maj.
“Në 19 maj Berisha do shoqërohet nga policia në gjykatë. Policia duhet të zbatojë vendimin e gjykatës për të shoqëruar Berishën në gjyq në 19 maj. Ka 30 vite që shan, por çdo gjë ka një limit. Duhet t’i provojë në gjykatë ato që thotë”, tha Veliaj.
Ai i referohet nenit 351 pika 1 e Kodit të Procedurës Penale
“Kur i pandehuri i lirë ose i paraburgosur nuk paraqitet në seancë, ndonëse është njoftuar dhe nuk ka pasur shkaqe të ligjshme për të mos u paraqitur, gjykata shtyn seancën dhe urdhëron shoqërimin e detyrueshëm, përveç rastit kur ka deklaruar vullnetin e tij për të mos marrë pjesë në gjykim përpara noterit ose autoritetit shtetëror përgjegjës. Në këtë rast gjykimi vazhdon pa pjesëmarrjen e tij”, thuhet nen.
Kryebashkiaku shtoi se kjo ishte një mundësi e mirë për të bërë “debatin e famshëm” që Berisha kërkon, por sërish refuzoi. Sipas Veliaj, ky është një tregues i qartë që akuzat e tij janë të pabazuar me qëllimin e vetëm për të dëmtuar imazhin e kundërshtarit.
“Ka kaq kohë që më fton debat, po Berisha nuk është burrë, është frikacak, Berisha është i lig, ka promovuar kulturën hidh baltë pa pikë përgjegjësie”, shtoi ai.
Pak ditë më parë, Sali Berisha hodhi akuza ndaj Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj në lidhje me inceneratorin e Tiranës dhe të ashtuquajtura “lidhje” të tij me Iranin. Për të gjitha këto akuza, kryetari i bashkisë ka paraqitur një padi penale pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me të dëmtuar akuzues Erion Veliaj dhe me të akuzuar Sali Berisha. Sipas tij, Veliaj po pastron paratë e Gardës Revolucionare të Iranit.
“Ju tregoj unë histori me Iranin. Personi që ka bërë vizita të përsëritura është Erion Veliaj. Ke qenë ti apo jo, nuk e di? Por ai ka qenë në Iran dhe ka bërë shqetësim për vendet partnere. Ministri i juaj i Jashtëm ka qenë në Iran”, ka thënë më herët Berisha.
Kryebashkiaku i Tiranës ka deklaruar se sot Gjykata ka vendosur që Sali Berisha të sillet me forcë në Gjykatë në 19 maj.
“Sot isha unë nismëtar i një akuze ndaj Sali Berishës, që ka mbi 30 vjet që shan dhe mallkon këdo, por çdo gjë ka një limit. Ekziston një shprehje që thotë: Hapi rrugë budallait dhe të ligut. Por unë nuk e besoj këtë shprehje. Unë besoj se në një vend demokratik, as budallait dhe as të ligut nuk i duhet hapur rrugë. Këto historitë me iranianë, Sali Berisha duhet t’i provojë në gjykatë dhe këto historitë me gardat revolucionuare, me fotografi fiktive, me shpifje dhe akuza të paqena, Sali Berisha duhet t’i provojë në gjykatë. Ka kaq kohë që më fton në debat, sot ishte momenti për të ardhur si burrë. Sali Berisha nuk është burrë! Në këtë e dimë të gjithë. Është frikacaku më i madh i këtij vendi. Eshte 80 vjeç dhe njerëzit më thonë lërë se ka roitur. Por nuk besoj se ai është njeri i roitur. Sali Berisha është njeri i lig. Sali Berisha ka mbjellë urrejtje dhe përçarje dhe shpifje dhe ka promovuar kulturën që ti hidh baltë, mjafton që ta njollosësh dikë pa pikë përgjegjësie. Sot gjykata vendosi që në datën 19 Maj në orën 10:00, Sali Berisha do të shoqërohet nga policia për paraqitje të detyrueshme në gjykatë. Do të rikthehem prapë në datë 19 Maj dhe policisë do i shkojë njoftimi që të sjellë Sali Berishën, si të gjithë qytetarët e tjerë që duhet të shkojë në gjykatë dhe të provojë akuzat. Që të akuzosh gjithë dynjanë dhe të mos paraqitesh në gjykatë, të thuash shpifjet nga më monstruoze, t’i futesh njerëzve te vrima e çelësit, poshtë fustanit, në krevat, të merresh me gjithë familjet e gjithë dynjasë dhe të mos kesh kurajon civile të vijë në gjykatë. Policia, sipas vendimit të gjyqtarit, duhet të bëjë detyrën dhe të sjellë forcërisht Sali Berishën, që të përballet me akuzat dhe shpifjet që janë të padenja, jo për një plak 80-vjeçar, por për këdo që jeton dhe angazhohet publikisht dhe që e ka përdorur prezencën e vet publike si një qysqi dhe një kokëdash vetëm për të shkatërruar normat dhe vlerat në këtë shoqëri”, tha Veliaj.