Connect with us

Kronike

“Erdha për turizëm”/ Detajet nga arrestimi i Saraivës në Marok, nuk bëri rezistencë

Është kapur pasditen e djeshme në aeroportin kryesor të Marokut, Ruben Saraiva, vrasësi i Ardian Nikulajt më 19 prill. Portugezi qëlloi plot 7 herë biznesmenin në lokalin e tij në resorin “Coral” në Shëngjin, duke e lënë të vdekur në vend.

Më 8 maj ai ka udhëtuar nga një aeroport i Maltës, në drejtim të Marokut, ku është ulur në Rabat. Ky ka rezultuar të jetë udhëtimi i fundit i tij në arrati, pasi është kapur me të zbritur nga avioni. Ky operacion është kryer nëpërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Rabatit.

Vrasësi i Nikulajt në momentin e ndalimit mësohet se nuk ka bërë rezistencë, teksa është shprehur se kishte mbërritur në Marok për turizëm. Saraiva, i cili qëndroi në Shqipëri që nga 14 shkurti 2023 dhe qëndroi deri në ditën e vrasjes, tashmë do t’i nënshtrohet një procesi ekstradimi për transferimin në Shqipëri.

Saraiva doli nga Shqipëria duke përdorur pikën kufitare të Kapshticës. Prej kësaj date, për 19 ditë me radhë, portugezi ka qëndruar në ishullin e Rodosit dhe Maltës. Burime pranë grupit të hetimit bënë me dije se ditën e djeshme ai nga Malta ka udhëtuar në drejtim të Marokut, ku më pas është arrestuar nga policia, pas sinjalizimit që i ka bërë policia Shqiptare.

Aktualisht, në Britani të Madhe janë të arrestuar Edmond Haxhia, porositësi dhe organizatori i atentatit mafioz, si edhe 3 bashkëpunëtorët anglezë, që kanë luajtur rolin e vëzhguesit, Thomas Mithan, Steven Hunt, 35 dhe 49 vjeç si dhe Harriet Bridgeman, 28 vjeçe.

Advertisement