Connect with us

Aktualitet

Atentati i Durrësit/ ‘Çapaçuli’ përfshiu 4 emra që i dha Dumani

Rrëfimi ndryshe në gjykatë i Klevis Allës, i cili është ndër personat e parë të shpallur bashkëpunëtorë të SPAK dhe që tashmë gëzon statusin e të penduarit, ka sjellë jo pak probleme proçeduriale për prokurorinë, por dhe vetë pozitën e besueshmërisë së dëshmitarëve. Në seancën gjyqësore të dy ditëve më parë, e cila u zhvillua lidhur me ngjarjen e vrasjes së dy vëllezërve Haxhiaj në Durrës dhe dy personave të tjerë Anxhelo Avdia dhe Dorjan Shkoza, i penduari Klevis Alla, përjashtoi nga pjesëmarja në vrasje, katër të pandehurit e këtij procesi për të cilët SPAK ka ngrituar akuza të rënda.

Sipas Qynos, Alla, përjashtoi si pjesëmarrës në katër vrasjet të nominuarit kryesor të tij, Talo Çelën, e duke vijuar më pas me Altin Ndocin, Besjan Xhixhën dhe Enver Divën. I penduari i prokurorisë, pranoi se ka gënjyer përpara prokurorëve të SPAK, duke përfshirë katër emra të tjerë, si autorë të vrasjeve në Durrës.

Mospjesëmarrja e Talo Çelës, Altin Ndocit, Besjan Xhixhës dhe Enver Divës, në vrasjen e vëllezërve Haxhiaj, Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdias, provohet jo vetëm nga dëshmia e Klevis Allës, por edhe në dëshmitë që kanë pohuar vetë protagonistët Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj. Por, kjo gjë ka vërtetuar gjithashtu se Klevis Alla, para se të arrestohej nga policia e Durrësit është mësuar se çfarë duhet të tregonte në polici, rreth bashkëpunëtorëve të tij në vrasje. Personi i fundit që Alla ka takuar vetëm pak minuta para se të arrestohej nga policia ka qënë pikërisht Nuredin Dumani.

Alla shprehet se kur është telefonuar nga punonjësi i policisë së zonës, për tu paraqitur në polici, ai kishte takuar Nuredin Dumanin dhe kanë biseduar së bashku.

“Ka mjaft indicie të forta se Dumani që sot gëzon statusin e bashkëpuntorit të prokurorisë SPAK, është njeriu që ka krijuar skenarin për implikimin në vrasjen e katërfishtë të hasmit të tij Talo Çela, Enver Diva, Besjan Xhixha dhe Altin Ndoci. Qëllimi i Dumanit, ka qënë i qartë. Nxjerja e kundërshtarëve të tij në një front të ri luftimi, duke pasur përballë organet ligjzbatuese, Policinë dhe Prokurorinë. Dhe skenarin e ka vënë në zbatim përmes Klevis Allës, të cilit për shkak të moshës së vogël i thërrisnin “Çapaçul”. Në muajin maj 2020, Dumani ishte vënë në dijeni për identifikimin nga policia të Klevis Allës si pjesëmarës në vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj. Përmes kërcënimeve dhe premtimeve se do e ndihmonte, Nuredin Dumani, në takimin e fundit që ka pasur me Allën, ka orientuar këtë të fundit lidhur me 4 emrat që duhet të tregonte në polici. Talo Çela, Altin Ndoci, janë kundërshtarë të betuar të Nuredin Dumanit dhe kanë qënë në listën e tij për tu ekzekutuar. Problemet ndaj këtyre dy personave nisën menjëherë pas dëshmisë së dhënë 3 vite më parë nga Klevis Alla. Alla, është orientuar nga Nuredin Dumani dhe ky i fundit nga persona të tjerë në Elbasan, me të cilët bashkëpuntonte dhe bënte plane për vrasje me pagesë,”- shkruhet ndër të tjera në shkrim.

Nga ana tjetër në dëshminë që vetë Nuredin Dumani ka dhënë para prokurorëve dhe ku tregon vrasjen e vëllezërve Haxhiaj, ai rrëfen se vrasjen e tyre e kishte bërë ai vetë së bashku me Henrik Hoxhaj dhe Klevis Allën, të cilën i thërrisnin “Çapaçul”. Të njëjtën gjë dëshmon edhe bashkëpunëtori i tretë i kësaj dosje, Henrik Hoxhaj, duke shmangur nga pjesëmarrja në krim dhe përgjegjësia penale Talo Çelën, Besjan Xhixhën, Enver Divën dhe Altin Ndocin. Sipas Dumanit, në vrasjen Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë të kryer në datën 2 mars 2020, janë të përfshirë Arjan Spahija (i vrarë në Belgjikë), Erjon Alibej, Eljo Bitri, Henrik Hoxhaj, Nuredin Dumani, Klevis Alla dhe Asllan Plaku.

Advertisement