Aktualitet
Apeli i Shoqatës së Siguruesve: Siguroni gjithçka keni ndërtuar me mund dhe djersë
“Të rrezikuar nga fatkeqësitë natyrore por sërish kemi një shkallë të ulët Sigurimi”
Edhe pse Shqipëria rënditet mes shteteve më të rrezikuara nga fatkeqësitë natyrore, vendi ynë vijon të jetë i fundit në Evropë sa i përket shpezimeve mesatare për frymë për sigurime. Sikur të mos mjaftonin përmbytjet e përvitshme, zjarret e përhershme, aksidentet me bombolat e gazit që sa vijnë dhe shpeshtohen apo tërmetet tragjike të vitit 2019, shqiptarët vijojnë të jenë të pandërgjegjësuar mbi rëndësinë e të qënurit të siguruar. Pak ditë më parë, AMF publikoi raportin mbi ecurinë e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-mars 2023 ku rezulton se shpenzimet për Sigurimin e Pronës, shtëpi apo biznes, ka qenë 808,270,000 Lekë. Në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë por sërish jo aty ku duhet. Sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë deri në 1 janar 2022 ka qenë 2,790,000 banorë çka do të thotë se gjatë tre muajve të parë të këtij viti një qytetar shqiptar ka shpenzuar vetëm 290 Lekë për Sigurimin e Pasurisë, ose rreth 2.5 Euro. Ndërsa një vit më parë ishte 200 Lekë ose 1.7 Euro.
Por përse shqiptarët vazhdojnë të shpenzojnë më pak për sigurime ndërkohë që rreziqet sa vijnë dhe shtohen?
Ne intervistuam Sekretaren e Përgjithshme të Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, znj. Mimoza Hajdarmataj, e cila listoi disa arsye.
“Ne, shqiptarëve na pëlqen të dëmshpërblehemi në një rast fatkeqësie por nuk na pëlqen dhe aq shumë të paguajmë paraprakisht.
Kjo ka dy arsye kryesore: E para, për shkak të kaluarës komuniste ku për gjithçka përgjigjej shteti, kultura e sigurimit është shumë e ulët dhe e dyta, është mungesa e një sërë ligjesh që i bëjnë më të domosdoshme dhe më të rëndësishme sigurimet tek çdo qytetar.
Sot, Shqipëria shpenzon rreth 55 euro sigurime për frymë në vit, ndërsa vendet fqinje konsumojnë 3-4 fish më shumë, ndërsa Europa ka një mesatare prej 3000-4000 euro për frymë në vit për individ”.
Sipas Sekretares së Përgjithshme të Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, që këtë vit kremton edhe 20-vjetorin e themelimit të saj, edukimi financiar duhet të marrë më shumë hapësirë në media televizive dhe të shkruara.
“Shqiptarët janë të prirur drejt Siguracioneve të Detyrueshme si, Sigurimi TPL, Karton Jeshil dhe Kufitar. Sigurimet e detyrueshme zenë zenë përqindjen më të madhe në Shqipëri.
Por viti kalendarik nuk ka vetëm ditë me diell. Ka ditë me shi, me përmbytje, me katastrofa natyrore dhe kemi parë tërmetet, për të cilat Banka Botërore ka ndezur alarmin e kuq duke i bërë thirrje edhe qeverisë për të marrë masa. Nga njëra anë kemi këto risqe kaq të mëdha dhe nga ana tjetër kemi një shkallë kaq të ulët Sigurimi vullnetar”.
Por sa i konsoliduar është tregu i sigurimeve në Shqipëri?
Sipas Sekretares së Përgjithshme të Shoqatës së Siguruesve, ky treg tashmë është mjaft i konsoliduar dhe i ofron pronarëve të shtëpive dhe të bizneseve siguracion me çmim të përballueshëm.
“Pas tërmeteve të vitit 2019 u shkaktuan shumë dëme materiale dhe jetësore. Tregu i sigurimeve ju gjend pranë të gjithë të dëmtuarve duke i vlerësuar dëmet e shkaktuara dhe duke i likuiduar në kohë rekord.
Familjarët dhe bizneset e siguruara ishte e vetmja shtresë që nuk u “stresua” për kostot financiare të dëmeve të shkaktuara. Vlera monetare e dëmeve të paguara vetëm në atë periudhë kalon shifrën e 40 milionë eurove”.
“Qëllimi i sigurimit të pronës është të minimizojë kostot e mundshme të katastrofave natyrore.
Për fatin e mirë të të gjithë pronarëve të banesave apo bizneseve, pajisja me një sigurim prone është ende mjaft e lirë në vendin tonë. Teksa një metër katror ndërtim në Tiranë kushton minimalisht 1000 Euro, sigurimin e Pronës mund ta bënin tuajën për më pak se 1 euro për metër katror”, shprehet Hajdarmataj.
Në fund, Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë ka edhe një apel për qytetarët dhe bizneset.
“Individët, familjet apo bizneset, sado të kenë kursyer dhe vënë para mënjanë, ashpërsia e goditjes nga ngjarje të papritura mund të jetë shumë herë më e madhe se këto fonde emergjence. Dhe për të mbuluar riskun e mospërballimit financiar, shoqëritë e sigurimit kanë qenë ndër shekuj dhe mbeten mekanizmi mbrojtës i stabilitetit ekonomik të bizneseve dhe familjeve. Duke transferuar riskun te kompania e sigurimit, qytetari dhe biznesin fiton sigurinë e vazhdimësisë së jetës aty ku e ka lënë. Ndaj apeli ynë është: Siguroni ato që keni ndërtuar me shumë mund e djersë… Mos i lini asgjë rastësisë”.