Politike
Adriana Kalaja: Demokratët duhet të provojnë dhimbjet e mia të tmerrshme
Adriana Kalaja ka rrëfyer nëntë ditët e saj, me dorën e thyer.
Ajo shkruan se demokratët duhet të provojnë dhimbjet e saj të tmerrshme, se janë mësuar me komoditet, për të kuptuar sakrificat që duhet të bëjnë për të ardhur në pushtet.
Ju kërkoj ndjesë, që nuk kam mundur t’ju përgjigjem, për shkak të aksidentit që pësova në dorën e djathtë, ndërsa isha në detyrë si vëzhguese e procesit të numërimit të votave në qendrën te shkolla “Vasil Shanto”.
Ju falenderoj shumë për mesazhet e ngrohta inkurajuese.
Gjatë këtyre nëntë ditëve pas aksidentit, kam reflektuar gjatë në lidhje me gjithë veprimtarinë dhe angazhimet e mia shoqërore.
U nisa fillimisht nga përvoja me aksidentin, kur me urgjencë më çuan në Spitalin e Traumës. Dhimbjet ishin të tmerrshme. Atje nuk kishte asnjë sallë të lirë operacioni, ndaj më thanë se dorën e thyer do ma çonin në vend pa mpirje.
Iu përgjërova mjekut, që ta bëja me qetësues. Mjeku (të cilin e falenderoj shumë) më tha se pa dhimbje, nuk mund të kuptohej kur dora do të shkonte në vendin e saj. Pa ato dhimbje të skajshme, dora nuk mund të rregullohej.
Vuajta shumë edhe në ditët pasardhëse.
Vuajta dhe bëra durim, e privuar edhe nga të gjitha veprimet më të vogla të jetës normale. Sot dhimbjet më janë pakësuar. Duhet të kaloj domosdoshmërisht në këtë proces, i cili, kur përfundon, krijon një lidhje më të fortë se e mëparshmja të dorës në vendin e vet.
Kam reflektuar gjatë mbi këtë.
Kjo përvojë e dhimbjes fizike vlen njësoj për gjithë shoqërinë tonë. Që ajo të shërohet nga e keqja që e ka zënë, i duhet të kalojë nëpër një dhimbje të madhe, të sakrifikojë dhe të heqë dorë nga mendësi e komoditete, në dukje të pandryshueshme.
Asnjë fitore e madhe nuk mund të vijë pa këtë revolucion.
P.S. E njëjta vlen tani edhe për Partinë Demokratike dhe opozitën e vërtetë”, shkruan ajo.