Connect with us

Bota

Historia e rrallë: 20 vite burg për vdekjen e 4 fëmijëve të saj, nëna lirohet pas provave të reja

Një grua australiane që kaloi dy dekada në burg pasi u dënua për vrasjen e katër fëmijëve të saj u fal dhe u lirua nga burgu të hënën, pasi një hetim zbuloi se kishte ‘dyshim të arsyeshëm’ se ajo nuk ishte përgjegjëse për vdekjen e fëmijëve.

Kathleen Folbigg ka pretenduar pafajësinë që kur u akuzua për vrasjen e fëmijëve të saj, të cilët vdiqën të gjithë në moshë të re nga fundi i viteve 1980 dhe fundi i viteve 1990.

Gjyqi i saj në vitin 2003 u përqendrua në shënimet e saj në ditar, në të cilat Folbigg – tani në të 50-at – shkruante se ‘kishte dështuar si nënë, sigrua’. Prokurorët argumentuan se vdekja e katër fëmijëve të vegjël radhazi nuk mund të ishte rastësi tragjike dhe ajo u kritikua në media. Një juri e dënoi atë për mbytje të fëmijëve deri në vdekje dhe ajo u dënua fillimisht me 40 vjet burg, që u pakësua tre dekada në apel.

Vitet e fundit, janë ngritur dyshime për çështjen me shfaqjen e shkencës së re. Prokurori i Përgjithshëm i Uellsit të Ri Jugor, Michael Daley, tha në një konferencë për shtyp se ai kishte rekomanduar që guvernatori i shtetit të falte Folbigg dhe ajo do lirohej menjëherë. Ai u njoftua javën e kaluar ndërsa raporti i një hetimi për dënimin e saj po përmbyllej.

Daley tha se ai mori një memorandum të premten nga Thomas Bathurst, një ish-gjyqtar i lartë që drejtoi hetimin, duke deklaruar se kishte ‘dyshim të arsyeshëm’ për secilën nga veprat e supozuara.

Në vitin 2021, dhjetëra shkencëtarë – duke përfshirë dy laureatë Nobel – nënshkruan një peticion duke i kërkuar guvernatorit të Uellsit të Ri Jugor që të falte Folbigg, duke argumentuar se ajo ishte ‘burgosur gabimisht’ dhe se gjenetika mund të ketë shkaktuar vdekjet.

Shkencëtarët e gjenetikës kanë gjetur mutacione të rralla në ADN-në e Folbigg dhe vajzave të saj që mund të shkaktojnë vdekje të papritur në foshnjëri dhe fëmijëri, dhe variante të tjera të gjetura në ADN-në e djemve të saj kanë qenë gjithashtu të lidhura me vdekjet tek fëmijët e vegjël.

“Dallimi midis sot dhe asaj që ka ndodhur në të kaluarën është se provat e reja kanë dalë në dritë,” tha Daley, një anëtar i Partisë Laburiste të qendrës së majtë, duke shtuar se ishte ‘e përshtatshme që ne të kemi mekanizma për të rishqyrtuar këto lloj pyetjesh në dritën e provave të reja’.

“Jam i lehtësuar që Kathleen Folbigg-ut i është dhënë një falje e pakushtëzuar dhe se shkenca është dëgjuar”, tha Chennupati Jagadish, president i Akademisë Australiane të Shkencave, i cili këshilloi hetimin e Bathurst.

Akademia shtoi në një deklaratë se dëshironte të punonte me zyrën e Daley për të ‘zbatuar një sistem ligjor më të ndjeshëm ndaj shkencës, në mënyrë që një gabim i drejtësisë i kësaj shkalle të mos përsëritet kurrë’.

Ndërsa falja do të thotë se Folbigg nuk do duhet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit të saj, ajo nuk e liron atë nga dënimet penale. Një gjykatë penale e apelit do të duhet t’i rrëzojë këto dënime, tha Daley, duke shtuar se një apel i suksesshëm do krijonte një rrugë për Folbigg për të filluar një proces civil kundër shtetit për kompensim.

Përfaqësuesit për Folbigg nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment në lidhje me faktin nëse ajo kishte në plan të ngrejë padi kundër qeverisë për paraburgimin e saj prej dy dekadash.

Folbigg u lirua nga Qendra Korrektuese Clarence, rreth gjashtë orë me makinë larg nga Sydney, rreth orës 11 të mëngjesit me orën lokale, sipas Sydney Morning Herald.

I pyetur për përgjigjen e tij ndaj njerëzve që mund të mos besojnë në pafajësinë e Folbigg-ut, Daley tha: “Kemi katër fëmijë të vegjël që kanë vdekur. Ne kemi një burrë dhe një grua që humbën njëri-tjetrin, një grua që kaloi 20 vjet në burg dhe një familje që nuk pati kurrë një mundësi. Nuk do ishe njeri nëse nuk do ndjeje diçka për këtë,” tha ai.

Bota

“Bombat u përdorën për të vrarë civilë”, Biden paralajmëron Izraelin: Do ndalojmë furnizimin me armë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, paralajmëroi Izraelin se SHBA-ja do t’i ndalojë furnizimet me disa armë, nëse ai nis operacion të madh tokësor në qytetin Rafah të Gazës.

“Nëse ata hyjnë në Rafah, unë nuk do t’i furnizoj me armët që janë përdorur historikisht për t’u marrë me Rafahun”, tha Biden gjatë një interviste për rrjetin televiziv, CNN.

Ai shtoi se “do të vazhdojë të angazhohet që Izraeli të jetë i sigurt”. Por, pavarësisht kundërshtimit të fortë të SHBA-së, Izraeli duket se është gati për ta pushtuar në shkallë të plotë Rafahun.

Ai beson se në këtë qytet strehohen mijëra luftëtarë të grupit islamik palestinez, Hamas, i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka nisur shtatë muaj më parë, pasi Hamasi ka sulmuar fillimisht tokën izraelite, duke vrarë mbi 1.200 persona.

Në ofensivën hakmarrëse të Izraelit në Gazë, e cila vazhdon ende, janë vrarë afro 35.000 njerëz, sipas autoriteteve në enklavë.

Ushtria e Izraelit thotë se fitorja kundër Hamasit është e pamundur pa e marrë kontrollin e qytetit Rafah. Por, zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se operacioni në këtë qytet – ku popullsia është shtuar me refugjatë nga pjesë të tjera të Gazës – mund të çojë në numër të madh të viktimave civile.

“Ne nuk do ta furnizojmë [Izraelin] me armë dhe predha artilerie nëse sulmon Rafahun”, tha Biden në intervistën që u transmetua të mërkurën.

Ai tha se SHBA-ja nuk e përkufizon situatën aktuale në Rafah si operacion tokësor.

“Ata nuk kanë shkuar në qendrat e popullsisë. Janë pikërisht në kufi”, tha ai.

“Por, unë ia kam bërë të qartë [kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu] dhe kabinetit të luftës, se ata nuk do ta kenë mbështetjen tonë, nëse futen në këto qendra të popullsisë”, tha presidenti amerikan.

Biden pranoi se armët amerikane janë përdorur nga Izraeli për të vrarë civilë në Gazë.

I pyetur nëse Izraeli ka kaluar “vijën e kuqe”, ai u përgjigj: “Jo, ende”.

Continue Reading

Bota

Avokati amerikan qëllohet për vdekje nga klienti i nevrikosur për porosinë në McDonalds (fotot)

Një avokat është qëlluar për vdekje nga një klient i zemëruar për porosinë e tij në një fast-food McDonald’s, pasi tentoi ta qetësonte burrin që po ofendonte stafin, njoftonte policia vendase.

Në ngjarjen e rende në qytetin amerikan të Houston, 46-vjeçari i identifikuar nga familjarët si Jeffrey Limmer, ishte përpjekur të ndërhynte kur klienti përkonte paratë e tij mbrapsht nga punonjësi i McDonalds në autostradën West Interstate 10 në fundjavë.

Por sipas raprotimeve, në vend që të qetësohej, klienti nisi polemikat me Limmer që më pas u kthyen përleshje fizike. Kur më pas ata kishin dalë jashtë në parking, Limmer raportohet se kishte shtyrë përtokë burrin, i cili kishte marrë armën nga makina e tij dhe e kishte qëlluar për vdekje.

Policia tha se Limmer u gjet i vdekur në vendngjarje dhe se oficerët nuk kishin bërë asnjë arrestim pasi autori i dyshuar ishte larguar.

“Xhef gjithmonë ndërhynte për më të dobëtin, donte të bënte gjënë e duhur”, tha për mediat motra e tij Jennifer Thomas.

Limmer jetonte pranë dyqanit ku humbi jetën dhe punonte si avokat me kompaninë Lewis Brisbois në Houston.

Thomas shtoi se nuk çuditej që i vëllai kishte ndërhyrë për t qetësuar burrin e vrau, i cili mbetet në arrati.

Familjarët thonin se shpresonin që ai të kapet dhe të dalë para drejtësisë.

Continue Reading

Bota

Ngjarje e tmerrshme/ Shënjë hakmarrje ndaj bashkëshorti, nëna vret djalin 3 vjeçar më pas dhe veten

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në San Antonio të Teksasit, ku një grua në shenjë hakmarrjeje ndaj bashkëshortit ka vrarë djalin 3-vjeçar dhe me pas veten.

Savannah Kriger 32 vjeç ka detyruar djalin e saj Kaiden 3 vjeç, t’i thotë lamtumirë babait dhe e vret dhe më pas qëllon edhe veten.

Nënë dhe bir u raportuan të zhdukur të hënën pasi ajo u largua nga puna herët për ta marrë atë nga çerdhja për një takim me një mjek.

Ata u gjetën të vdekur herët në mëngjes të martën, 19 orë më vonë, në një kanal kullues në San Antonio, Teksas , me plagë nga armë zjarri. Kriger duhej të përballej me ish-bashkëshortin e saj Brian Kriger në një seancë dëgjimore për paraburgimin po atë ditë.

Hetuesit mblodhën së bashku orët e fundit të Kriger-it të gjallë, ndërsa ajo shkatërroi dy shtëpi në një sulm me armë, mori djalin e saj dhe u shpreh e gëzuar në telefon që ai nuk do ta shihte më.

Continue Reading

Bota

Dërgimi i trupave të NATO-s në Ukrainë/ Egërsohet Rusia: Përbën një rrezik të madh

Rusia tha se dërgimi i trupave të NATO-s në Ukrainë potencialisht do të përbënte një rrezik të madh, duke shtuar se Moska po vëzhgon me kujdes një peticion ukrainas për një ndërhyrje të tillë.

Peticioni, i publikuar në ueb-faqen e presidentit të Ukrainës, thuhet se Ukraina duhet t’i kërkojë Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe shteteve të tjera që të dërgojnë trupa për ta ndihmuar Kievin që të zmbrapsë pushtimin rus.

“Regjimi i Kievit është shumë i paparashikueshëm”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet për këtë çështje gjatë një konference për media më 8 maj.

“Ne vazhdimisht e kemi thënë se një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në terren në këtë konflikt nga ushtritë e shteteve të NATO-s bart një rrezik të madh potencial. Prandaj, ne e konsiderojmë këtë si një provokim të madh dhe sigurisht po e vëzhgojmë situatën me shumë kujdes”, shtoi ai.

Është e paqartë nëse peticioni do të mbledhë votat e nevojshme – 25.000 – që kërkon në mënyrë që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ta miratojë apo refuzojë. Deri mëngjesit e 8 majit, këtë peticion e kanë nënshkruar 1.594 persona.

NATO e ka mbështetur Ukrainën në luftë, duke i ofruar armë të fuqishme, përfshirë tanke dhe raketa me rreze të gjatë veprimi, por nuk ka ndërhyrë drejtpërdrejtë me trupa, diçka që presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ai rus, Vladimir Putin, kanë paralajmëruar se do të çonte në një Luftë të Tretë Botërore.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se dërgimi i trupave perëndimore në Ukrainë “do të ishte legjitim” nëse Rusia do të kalonte vijat ukrainase të frontit dhe nëse Kievi do të kërkonte një gjë të tillë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha më 8 maj se Rusia do të shënjestronte trupat franceze nëse ato do të dërgoheshin në Ukrainë, shtet që po përballet me pushtimin që Moska nisi më 2022.

Continue Reading

Bota

Skandalet para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian/ Von der Leyen: AfD-ja po e tradhton Gjermaninë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, akuzoi partinë AfD se po “tradhton” Gjermaninë, përderisa partia e ekstremit të djathtë është duke u përballur me skandale para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Alternativa për Gjermaninë (AfD) muajin e kaluar u përball me një skandal, pasi një këshilltar parlamentar i kandidatit kyç të partisë për zgjedhjet evropiane – që mbahen në qershor – u arrestua nën dyshimin se ka spiunuar për Kinën.

Kandidati, Maximilian Krah, po ashtu më herët është përfshirë në pretendimet e propagandës ruse.

Sjellja e AfD-së është “në mënyrë shkatërruese e pandershme”, tha von Cramon gjatë kongresit të partisë së saj të Unionit Kristiano Demokrat, që u mbajt në Berlin.

Sipas saj, AfD-ja “po bën propagandë për [presidentin rus, Vladimir] Putin dhe po spiunon për Kinën” para zgjedhjeve evropiane.

“Fillimisht, AfD-ja ankohet për njerëzit dhe atdheun, më pas AfD-ja tradhton po këtë atdhe tek autokratët. Duhet t’iu vije turp”.

Sipas von Cramon, programi i partisë së ekstremit të djathët për zgjedhjet evropiane do të shkatërronte vende të punës dhe e akuzoi AfD-në se po dëshiron që ta nxjerrë Gjermaninë nga BE-ja.

Von der Leyen, ish-ministrja gjermane e Mbrojtjes, po kërkon një mandat të dytë në postin e shefes së KE-së.

Sipas sondazheve, AfD-ja është në mesin e disa partive të ekstremit të djathtë në mbarë Evropën që pritet të dalin mirë në zgjedhje./REL

Continue Reading
Advertisement

TRENDING