Connect with us

Kronike

EMRI/ Masakra me 4 të vrarë, arrestohet në Itali ‘killeri’

Vijon bashkëpunimi i suksesshëm më partnerët, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, një shtetas shqiptar i kërkuar për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Falë inteligjencës policore, bashkëpunimit të ngushtë me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri, si dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale me Interpol Romën, u finalizua nga Policia italiane, operacioni policor i koduar “Rimini”.

Strukturat e Policisë së Shtetit, prej disa ditësh, kishin siguruar informacion se në zonën e Riminit fshihej një shtetas i kërkuar për vrasje. Interpol Tirana bashkëpunoi ngushtë me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe me homologët e Interpol Romës, për shkëmbimin në kohë reale të këtij informacioni.

Policia e Riminit, bazuar në këto informacione, organizoi operacionin policor të koduar “Rimini”, në kuadër të të cilit lokalizoi, kapi dhe shoqëroi shtetasin e kërkuar ndërkombëtarisht, autor të dyshuar për vrasje.

Pas verifikimeve të thelluara të kryera ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj italiane, mëngjesin e sotëm është bërë identifikimi i shtetasit të shoqëruar E. D., i cili u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Shtetasi E. D. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Tirana, për veprat penale “Vrasja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në vitin 2021, në Velipojë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri, 4 shtetas.

Policia e Shtetit falënderon homologët italianë dhe zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri, për bashkëpunimin e shkëlqyer policor në interes të të dy vendeve dhe më gjerë.

Advertisement