Connect with us

Kronike

Kontrolle masive nga ajri dhe toka, asgjësohen qindra bimë kanabi

Policia e Shkodrës vijon kontrollin masiv të territorit, me patrulla nga toka dhe me dronët e Policisë nga ajri, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë kontrollit masiv të territorit, në të gjithë qarkun janë evidentuar dhe goditur 5 raste të kultivimit të bimëve narkotike. Asgjësohen me anë të djegies 841 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa që u gjetën nga kontrollit nga shërbimet e Policisë. Shërbimet e DVP Shkodër dhe të Komisariateve në varësi të saj, në zbatim të detyrave dhe planit operacional për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe prodhimit të narkotikëve, kanë intensifikuar kontrollin në territor, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Në kontroll janë angazhuar dhjetëra punonjës policie të cilët kanë përdorur disa dronë të Policisë, për kontrollin e zonave malore. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të territorit, në Shkodër, në Vaun e Dejës dhe në Malësi të Madhe, janë evidentuar 5 raste të kultivimit të bimëve narkotike në zona të ndryshme ku janë gjetur në total 841 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të cilat janë asgjësuar me anë të djegies përveç një pjese të vogël që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Nga veprimet e shpejta hetimore të Policisë, për njërin nga rastet, është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e njërit prej autorëve të dyshuar, shtetasit F. P., 58 vjeç, banues në fshatin Vig, Vau i Dejës. Vijon puna për kapjen e tij.

Ndërkohë, strukturat hetimore vijojnë punën e thelluar, në bashkëpunim me Prokurorinë, për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Advertisement