Kosova
BE “ultimatum” të dyja palëve: Kurti e Vuçiç në Bruksel pa kushte
Bashkimi Europian i ka bërë thirrje si kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ashtu edhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç që ta pranojnë pa kushte ftesën e bllokut për të marrë pjesë në takimin e krizës në Bruksel.
Ishte përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell, ai që e bëri këtë ftesë në mesin e përshkallëzimit të tensioneve mes dy vendeve. Ajo mbërriti së bashku me paralajmërim se shpërfillja dhe refuzimi mund të ketë pasoja për Prishtinën e Beogradin. Zëdhënësi i BE, Peter Stano, në deklaratën më të fundit sqaroi se iniciativa e Borellit synon “gjetjen e një rrugëdaljeje nga kriza dhe mënyrat për rikthimin në tryezën e dialogut”.
“Data nuk është caktuar ende sepse palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Borrell pret një sjellje më të përgjegjshme nga dy liderët. BE kërkon që ata të vijnë pa kushtëzime. Blloku europian po e ndjek me kujdes situatën për të parë nëse palët janë të gatshme për gjetjen e një zgjidhjeje”, tha Stano, zëdhënësi i BE-së..
Stano e përshkroi këtë ftesë si një mundësi që u ofrohet palëve. Kjo nuk bëhet për të kënaqur Brukselin, por për të ulur tensionet dhe për të ardhmen europiane të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, nënvizoi Stano, dhe për këtë shtoi ai, askush tjetër nuk është përgjegjës përveç Vuçiçit dhe Kurtit.