Connect with us

Aktualitet

Akuzohen për vepra të ndryshme penale, ekstradohen në Shqipëri 4 persona

Ekstradohen nga Greqia, Gjermania, Italia dhe Spanja, drejt Shqipërisë, 4 shtetas që ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale.

Gjithashtu, ekstradohet nga Shqipëria drejt Spanjës, një shtetas në kërkim ndërkombëtar, pjesëtar i një grupi kriminal me aktivitet kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve.

Si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve, ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve, me qëllim lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, në shtetet ku ata kanë kryer veprat penale, është bërë i mundur ekstradimi i 5 shtetasve, konkretisht:

-është ekstraduar nga Greqia drejt Shqipërisë, shtetasi Enver Hysa, 58 vjeç, të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat e ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi në vitin 2016, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe djalit të tyre;

-është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, shtetasja kosovare Emine Murriqi, të cilën Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprën penale ‘’Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave apo i vizave’’, pasi në vitin 2016, në PKK Port Durrës, ka tentuar të kalojë kufirin, duke përdoruar dokumente të falsifikuara;

-është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, shtetasi A. D., 29 vjeç, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, pasi në vitin 2022, në aksin rrugor Shupenzë – ura e Topojanit, është përfshirë në një konflikt me armë zjarri, me një shtetas tjetër;

-është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë, shtetasi F. D.(D.), 33 vjeç, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë në kushtet e tronditjes së fortë psikike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, pasi në vitin 2022, në ambientet e një hoteli, në Durrës, ka plagosur rëndë me armë zjarri, të dashurën e tij.

Gjithashtu, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Spanjës, shtetasi G. P. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid, Spanjë, pasi Gjykata Qendrore në Madrid, me vendimin e datës 01.02.2023, ka lëshuar urdhër arrestin ndërkombëtar për këtë shtetas, për veprat penale “Pjesëmarrja në grup kriminal me qëllim trafikimin dhe kultivimin e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës. Ky shtetas dyshohet se në vitin 2020, në Spanjë, ka qenë pjesë e një grupi kriminal dhe ka kultivuar një numër të konsiderueshëm bimësh narkotike, në ambiente të mbyllura, duke vjedhur energjinë elektrike.

Ekstradimet e këtyre shtetasve janë rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinën, Interpol Romën, Interpol Madridin dhe Interpol Wiesbaden.

4 shtetasit e ekstraduar në Shqipëri iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme procedurale.

Advertisement