Connect with us

Aktualitet

Dhunimi i vëllezërve Maja/ Policia dje i arrestoi, sot i shpall në kërkim

Xhelal dhe Flamur Rraja janë në kërkim nga Policia e Shtetit. Pas dhunimit të vëllezërve Maja në Borizanë të Fushë Krujë, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme, Policia njoftoi se kishte shoqëruar në Komisariatin e Krujës dy vëllezërit Rraja, gjithashtu vëllezërit e deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja. Ndërsa shtonte se kishte shpallur në kërkim dy të tjerë. Në njoftimin e thelluar, Policisë sot i kanë “humbur” vëllezërit e deputetit, madje i ka shpallur edhe në kërkim. Përse ka ndodhur ndryshimi i deklaratës, ose përse u liruan dy vëllezërit Rraja ende nuk dihet. Policia nuk ka dhënë asnjë informacion për lirimin e tyre, që u ndryshua menjëherë pa publikimit të videos me imazhe të rënda të dhunës ndaj disa qytetarëve që kërkonin të drejtën e tyre për mosdëmtimin e banesave nga gurorja e fisit Rraja.

NJOFTIMI I PLOTË- DJE:

Ditën e sotme, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë – Thumanë ka ndodhur një konflikt mes shtetasve B. M., e J. M., dhe shtetasve Xh. Rr., I. Rr., dhe K. Rr. Gjatë konfliktit shtetasit Xh. Rr., I., Rr., dhe K. Rr., dyshohet se kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M. dhe J. M., të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licensë për zhvillimim e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (B. M. dhe J. M.) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë shoqëruar shtetasit Xh. Rr., dhe P. Rr., si dhe po punojnë për shoqërimin e shtetasve I. Rr., dhe K. Rr., të përfshirë në këtë konflikt. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë një informacion të plotë.

NJOFTIMI I PLOTË- SOT:

Goditën në ambientet e një lokali 2 shtetas, shoqërohen në komisariat 8 autorët e dyshuar. Vihen në pranga 4 dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë. Gjatë operacionit për kapjen e këtyre shtetase u angazhuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë dhe Reparti Special RENEA. Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, në lidhje me një konflikt në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, ku shtetasit Xh. Rr., I., Rr., dhe K. Rr., kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M. dhe J. M., shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja, dhe të Repartit Special RENEA, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Krujë, shtetasit: – I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, P. Rr., 65 vjeç, N. M., 35 vjeç, L. Rr., 54 vjeç, D. Rr., 31 vjeç. Në vijim të veprimeve hetimore u bë ndalimi i shtetasve I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit Xh. Rr., 65 vjeç, F. Rr., 55 vjeç, dhe K. Rr., 31 vjeç. Shtetasit e mësipërm, ditën e djeshme, rreth orës 11:00, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., dhe shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licensë për zhvillimim e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (B. M. dhe J. M.) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Advertisement