Connect with us

Aktualitet

BE-në do ta lehtësonte shuarja e Ballkanit të Hapur

Paralajmërimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për shkrirjen e ideve të nismës Ballkani i Hapur në Procesin e Berlinit do të mirëpritej nga shumë qarqe në Bashkimin Evropian.

Deri më tash, Rama është shprehur vetëm në media se Ballkani i Hapur “e ka përmbyllur misionin e tij” dhe se idetë e kësaj nisme do të barten në Procesin e Berlinit.

Në BE nuk ka pasur reagime zyrtare rreth këtij paralajmërimi, por, jozyrtarisht, disa diplomatë evropianë thonë për Radion Evropa e Lirë se “kjo do të mirëpritej” dhe se “do të ishte një lehtësim i madh për forcimin e Procesit të Berlinit dhe të proceseve tjera”.

Nisma Ballkani i Hapur, e cila fillimisht është quajtur Mini Schengen, është ndërmarrë më 10 tetor 2019, në Novi Sad, dhe është nënshkruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Nisma është kundërshtuar nga opozita në Shqipëri dhe është refuzuar nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Në kuadër të saj janë arritur disa marrëveshje, si për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë.

Lidhur me paralajmërimin e Ramës për shuarjen e saj, Vuçiq ka thënë se “nuk mund ta besojë se ai [Rama] e ka thënë një gjë të tillë”. Në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur ndonjë reagim.

Cili ka qenë qëndrimi i BE-së?

BE-ja ka qenë vazhdimisht e paqartë rreth kësaj nisme.

Formalisht, nuk është shprehur kundër, sepse, në parim, mbështet çdo nismë që ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Por, në anën tjetër, shumë qarqe në BE e kanë parë atë si dublifikim i proceseve ekzistuese, si: Tregu i Përbashkët Rajonal, Procesi i Berlinit, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Marrëveshja për Tregti të Lirë – CEFTA e të tjera.

Në pyetjen se a e mbështesin nismën Ballkani i Hapur, në BE gjithmonë janë përgjigjur duke thënë se “mbështesin çdo nismë për bashkëpunim rajonal, e cila është gjithëpërfshirëse” dhe në të cilën janë “të gjashtë partnerët nga rajoni i Ballkanit Perëndimor”.

Marrë parasysh se në nismën Ballkani i Hapur, edhe pas disa vitesh, kanë mbetur vetëm tri vende anëtare: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, për të nuk mund të thuhet se është gjithëpërfshirëse.

Prandaj, shumë diplomatë në BE, jozyrtarisht, kanë shprehur qëndrimin se kjo nismë nuk e ka mbështetjen e plotë.

Në vend të kësaj, nga BE-ja është bërë thirrje që vendet e rajonit të fokusohen në Procesin e Berlinit, edhe pse as ai proces formalisht nuk është në kuadër të veprimit institucional të Bashkimit Evropian.

Nismën Ballkani i Hapur, ndërkohë, e kanë mbështetur vende si: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia dhe Hungaria, të cilat kanë dërguar edhe zyrtarë të tyre në takimet e saj.

Edhe komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka folur në disa takime të Ballkanit të Hapur.

Nga ana tjetër, Procesi i Berlinit ka fituar një mbështetje të plotë nga të gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, ashtu si edhe mbështetje ndërkombëtare.

Qëllim i kësaj nisme ndërqeveritare është t’i lidhë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimin Evropian dhe t’i ndihmojë ata të ndërtojnë marrëdhënie të ndërsjella mbi bazën e vlerave evropiane.

BE-ja ka qenë shumë aktive në mbështetjen e këtij procesi, duke u treguar e gatshme edhe për bashkëfinancimin e disa projekteve.

Procesi i Berlinit përfshin të gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke i cilësuar të gjitha si shtete, për dallim nga disa procese të tjera, ku BE-ja apo vendet e rajonit kanë rolin kryesor dhe ku – për shkak të Kosovës që nuk njihet nga Serbia dhe Bosnja – ato quhen “partnere” apo “gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor”.

Procesi i Berlinit është nismë gjermane, e mbështetur edhe nga shumë shtete të tjera të BE-së, si: Gjermania, Franca, Italia, Austria, Kroacia, Bullgaria, Sllovenia, Polonia dhe Greqia. Edhe pse nuk është më anëtare e BE-së, pjesë e procesit vazhdon të jetë edhe Britania e Madhe.

Të gjitha këto vende janë shprehur të gatshme të japin kontributin e tyre, për t’i ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e tyre për zhvillim dhe afrim me standardet e BE-së.

Në samitet e Procesit të Berlinit kanë marrë pjesë edhe liderët e institucioneve të Bashkimit Evropian, përfshirë presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Procesi i Berlinit ka nisur si ide e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel. Por, edhe pasardhësi i saj, Olaf Scholz, ka vendosur ta mbajë këtë proces si prioritet. Ai ka qenë mikpritës dhe organizator i një samiti, ku janë nënshkruar disa marrëveshje kyçe mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili edhe do të jetë mikpritës i samitit të radhës të Procesit të Berlinit, shihen nga shumë diplomatë në BE si mundësi për “rrugëdalje të ndershme”.

Sipas tyre, tri vendet e Ballkanit të Hapur do të mund të thonë se kjo ide “nuk ka qenë e kotë” dhe se ajo “do ta begatojë Procesin e Berlinit”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ndërkohë, siç thonë diplomatët, do të hiqet edhe presioni ndaj Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës që t’i bashkohen një procesi, të cilit nuk i janë bashkuar deri më tash.

Në Kosovë, të gjitha qeveritë kanë qenë kundër Ballkanit të Hapur, ndërsa në Bosnje e Hercegovinë ka pasur mospajtime të brendshme, për shkak të të cilave vendi nuk ka mundur të bëhet pjesë.

Qeveria e kaluar e Malit të Zi ka qenë kundër, ndërsa fituesit e zgjedhjeve të qershorit kanë shprehur gatishmërinë që ta shqyrtojnë pjesëmarrjen në Ballkanin e Hapur. Megjithatë, edhe në Mal të Zi kjo çështje ka krijuar ndasi në spektrin e brendshëm politik.

Aktualitet

‘Ja ndryshimi me Italinë’/ Gazetari italian: Mafia në Shqipëri e lidhur ngushtë me politikën

Gazetari italian Stefano Marcelli ka folur në lidhje me situatën e krimit në Shqipëri. Ai tha se “mafia në Shqipëri është e lidhur ngushtë me politikën”.

Duke krahasuar zhvillimet mes Shqipërisë e Italisë ai u shpreh se në Itali ka parë gjithmonë dikë që lufton krimin, një gazetar, polic apo punonjës administrate. Ndërkohë tregon përshtypjet e tij se në Shqipëri këtë gjë e ka parë shumë pak dhe se vendi ynë duhet patjetër të luftojë krimin e mafien dhe këtë ta sinjalizojë.

“Që të jemi të qartë problemi quhet mafie dhe nuk ka dyshim që Italia ka një histori shumë të madhe me rrënjë të shtrira e marrëdhënie e fuqishme me politiken por ka një diferencë mes raportit mafia Itali dhe Shqipëri. Në Itali ka qenë gjithmonë dikush pjesë e shtetit, magjistrat, polic, gazetar e ata janë vrarë sepse kanë luftuar e hetuar mafien e krimin, ndërsa në Shqipëri nuk e shoh këtë. Shoh që luftohet shumë pak. Shqipëria duhet të luftojë mafien dhe ta tregojë këtë, ta sinjalizojë. Unë e them se e dua Shqipërinë dhe nuk dua që të identifikohet si mafia”, tha gazetari.

Continue Reading

Aktualitet

62-vjeçari i droguar vjedh kamionçinën brenda parkingut në Kamëz, përplaset me makina të tjera

Policia e Tiranës ka arrestuar një person, i cili ka tentuar të vjedhë një kamionçinë brenda një parkingu privat dhe gjatë tentativë për t’u larguar është përplasur me automjete të tjera të parkuara.

Autoritetet policore bëjnë me dije se në pranga është vënë shtetasi N. Ch., 62 vjeç, banues në Korfuz, teksa ngjarja ka ndodhur në Paskuqan 2, Kamëz, rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm.

Pas testit të drogës të bërë nga ana e Policisë, i arrestuari ka rezultuar nën efektin e lëndëve narkotike. Mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale “Vjedhja”, “Shkatërrimi i pronës”, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Continue Reading

Aktualitet

Emigracioni dhe plani për gjyqësorin/ Ambasada zbardh detajet nga vizita e Cameron në Tiranë

Ambasada britanike në Tiranë ka reaguar në lidhje me vizitën e Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron në Shqipëri më 22 Maj.

Përmes një njoftimi, ambasada britanike bën me dije se në fokus të vizitës do të jenë diskutimet për kontrollin e emigracionit të paligjshëm në vijën e parë të frontit.

Gjithashtu, Cameron do të prezantojë një plan që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Britanisë për Policinë Shqiptare.

Shefi i diplomacisë britanike do të takohet me kryeministrin Edi Rama, Presidentin e Republikës Bajram Begaj dhe ministrn për Punët e Jashtme dhe Europën, Igli Hasani.

“Si pjesë e lidershipit në rritje të Mbretërisë së Bashkuar për të gjetur zgjidhje për sfidën pan-evropiane, Sekretari i Jashtëm britanik do të udhëtojë në Shqipëri këtë javë për t’u takuar me Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm shqiptar për të diskutuar mbi bashkëpunimin Shqipëri-Britani e Madhe, për kontrollin e emigracionit të paligjshëm në vijën e parë të frontit.

Sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit tonë inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit.

Sekretari i Jashtëm do të mbështetet në lidershipin e Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e krimit të organizuar duke njoftuar një program të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare, për axhendën e tyre të reformës”, njofton ambasada britanike.

Continue Reading

Aktualitet

Trondit dedektivi: Nëna fuste klientë në shtëpi dhe bënte s*ks në sy të fëmijëve

Në vendin tonë numërohen gati 200 dedektivë të licencuar, një profesion i lirë, i rregulluar me ligj, që në vitin 2014. Po përse i kërkojnë më shumë hetuesit privatë shqiptarët?

Ndue Pjetra, avokat dhe njëkohësisht edhe dedektiv privat, tregon për Tch se veç tradhtive, dedektivë punësohen edhe për të parë se si funksionon mbajtja e fëmijëve pas vendimit të gjykatës.

Ai tregoi edhe një rast kur një nënë e divorcuar, fuste klientët në shtëpi dhe bënte dashuri me ta në sy të fëmijëve dhe sipas tij, sërish gjykata nuk e mori parasysh këtë fakt dhe ia la përsëri fëmijët nënës.

“Dedektivët sot në Shqipëri kërkohen në zgjidhjet e martesave, për të parë me kujdes si funksionon pas vendimit të gjykatës, mbajtja e fëmijëve. Kur gjykata i jep kujdestarinë nënës apo babait dhe ata nuk i kanë kushtet pavarësisht se i kanë marrë më mënyra të tjera kujdestarinë.

Rastet janë të tmerrshme, janë gjetur në shtëpinë e nënës, në sytë e fëmijëve duke futur klientë brenda, duke bërë dashuri me ta në kundërshtim me çdo lloj norme dhe gjykata përsëri nuk i ka marrë parasysh, duke ia lënë fëmijët nënës.

Tradhtitë kanë rënë, ishin një fillim një ‘boom’ por përsëri janë bashkë dhe harxhonin kot ato lekë. Më shumë e kërkojnë të moshave mbi 50 vjeç, thonë burri im ka pasur një sekretare në atë kohë a takohet më, histori nga më të tmerrshmet dhe më të çuditshmet”, shprehet Ndue Pjetra, Dedektiv, Avokat

Continue Reading

Aktualitet

Turi çiklistik Tiranë-Korçë/ Evitoni qarkullimin në këto akse, përdorni rrugë alternative (DETAJE)

Policia e Shtetit/ Policia e Shtetit, në kuadër të masave për sigurimin dhe mbarëvajtjen e turit të 81-të çiklistik të Shqipërisë, i cili zhvillohet në 4 etapa, me itinerar të përgjithshëm 723 km rrugë për kalim publik, kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve për shmangien e rrugëve ku zhvillohen garat çiklistike.

Duke qene se aktiviteti çiklistik zhvillohet në disa nga akset kryesore kombëtare me frekuentim të lartë, per rrjedhoje edhe masat e sigurisë nga organizatorët dhe nga Policia e Shtetit do të jenë të larta, në raport me nevojën per garantimin e sigurise se pjesëmarrësve ne këto gara.

Aktviteti çiklistik starton me etapën e parë, ne orën 12.00 të datës 20.05.2024, nga sheshi “Skenderbej”, Tiranë dhe përfundon në Korçë. Etapa e dytë starton në orën 12.00 të datës 21.05.2024, nga Korça dhe përfundon në Elbasan. Etapa e tretë starton në orën 12.00 të datës 22.05.2024, nga Elbasan-Kuçovë-Ura vajgurore-Lushnjë dhe përfundon në Vlorë.

Etapa e katërt starton në orën 12.00 të datës 23.05.2024, nga Vlora-Lumi i Vlorës-Himarë dhe përfundon në Llogara. Etapa e pestë dhe e fundit starton në orën 10.00 të datës 24.05.2024, nga Vlora dhe përfundon në Fier. Me qëllim shmangien e vonesave që krijohen në trafik, për shkak të masave të sigurisë, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithe perdoruesve të rruges, qe në itineraret dhe oraret e garave, të evitohet në maksimum qarkullimi me mjete, si dhe të përdoren rrugë alternative.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING