LAJMI I FUNDIT
Kryeministrja e Serbisë: Do të flas në Tiranë me Ramën për të ardhmen e ndritur të Ballkanit të Hapur
Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, e cila do të jetë sot në Tiranë në takimin informal që do të zhvillohet me liderët e Rajonit, në një intervistë për mediat serbe tha se me kryeministrin Rama do të diskutojë për nismën e Open Balkan. Sipas kryeministres së Serbisë, pavarësisht deklaratave, ajo mendon se Rama nuk është kundër nismës së Open Balkan, e shtoi se e ardhmja e kësaj nisme do të jetë më e ndritur.
“Pavarësisht disa deklaratave, nuk besoj se Rama është kundër nismës Ballkani i Hapur, mendoj se për këtë ka folur në konferencën e fundit për shtyp me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Besoj se e ardhmja e saj është e ndritshme dhe e sigurt dhe që edhe vendet e tjera të rajonit t’i bashkohen kësaj nisme”, tha ajo në përgjigje të pyetjes së një gazetari për të ardhmen e Open Balkan, gjatë një takimi në Preshevë.
Sipas saj, Open Balkan është një iniciativë autoktone dhe jashtëzakonisht praktike, sepse çdo projekt që bëhet në kuadër të saj ka një aplikim specifik dhe drejtpërdrejt ndjehen përfitimet e tij për ekonominë dhe qytetarët.
“Ky është vetëm fillimi dhe nëse shihni shkëmbimin e ndërsjellë të mallrave mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, harmonizimin e procedurave doganore dhe fitosanitare, shkurtimin e kohës së pritjes në pikat kufitare, qytetarët dhe ekonominë do të na detyrojnë jo vetëm neve, por edhe gjenerata e ardhshme e politikanëve të vazhdojë me këtë iniciativë dhe ta zgjerojë atë”, tha Brnabić.