Bota
“Ju paralajmërova që në 1984, por nuk më dëgjuat”
Regjisori James Cameron bie dakord me shumë prej ekspertëve të inteligjencës artificiale se përparimet në teknologji mund të kthehen në rrezik serioz për njerëzimin. Fituesi i çmimit Oscar dhe mjaft i vlerësuar nga kritika për filmat e tij “Titanic” dhe “Avatar”, ndër të tjerë, ka qenë edhe njëri prej skenaristëve të filmit aksion fantastiko-shkencor “Terminator”. Nën interpretimin e Arnold Shcvarzenegger, filmi ishte një sukses botëror kur u lançua për herë të parë në 1984 dhe shumë prej atyre që e mbajnë mend mund ta kenë sjellë shpesh ndërmend 2-3 vitet e fundit, për shkak të pikëpyetjeve të mëdha që ka ngritur avancimi i shpejtë i teknologjisë robotike. Për më tepër, shumë prej ashtuquajturve kumbarë të inteligjencës artificiale kanë lëshuar kohët e fundit paralajmërime për domosdoshmërinë e futjes brenda një kornize ligjore të kësaj teknologjie, përpara se ajo të kthehet në një kërcënim më të madh për njerëzimin. “Abolutisht, unë ndaj të njëjtin shqetësim me ta“, i tha Cameron CTV News gjatë një takimi në Ottava. “Djema, ju paralajmërova në 1984 dhe ju nuk dëgjuat,” tha ai. Cameron tha se është e rëndësishme të vlerësohet se kush po e zhvillon teknologjinë dhe nëse këta individë po e bëjnë atë gjë për përfitim. “Unë mendoj se mundësia që ka AI për t’u kthyer në një armë është rreziku më i madh“, tha ai. “Mendoj se ne do të futemi në ekuivalentin e një gare armësh bërthamore me AI, dhe nëse nuk e ndërtojmë atë, të tjerët me siguri do ta ndërtojnë, dhe në këtë mënyrë do të përshkallëzohet. Mund të imagjinoni një arenë ku lufton inteligjenca artificiale. E gjithë lufta bëhet me kompjutera me një shpejtësi që i lë njerëzit të paaftë për të ndërmjetësuar dhe pa asnjë mundësi për t’i kthyer gjërat siç ishin”.