Kronike
Për vrasjet kam gjetur një arab një nga Kosova dhe një serb/ Detaje nga përgjimet e SPAK
Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me rolet e të arrestuarve, që dyshohet të jenë përfshirë në 4 ngjarje kriminale. Ish-efektivi i policisë, Edmond Preka, prej kohësh punonte si shofer i Pëllumb Gjokës dhe mësohet se në vrasjen e Gjon Ndojt dhe në atentatin ndaj Klent Musabelliut kishte rol aktiv. Në dosjen e prokurorisë së posaçme dalin prova që krijojnë dyshime të arsyeshme se Edmond Preka në vrasjen e Gjon Ndoj (Boriçi), ka ndihmuar autorët e krimit për tu larguar nga vendi i ngjarjes, pasi i morën jetën shënjestrës me dy plumba në kokë dhe një në shpatull në zonën e Vaut të Dejës më 9 gusht 2020. Kjo vrasje dyshohet të jetë bërë nga Behar Bajri dhe anëtarë të tjerë të grupit të tij. Një tjetër ngjarje ku Preka është përfshirë, mësohet të jetë ajo e planifikimit të vrasjes së Kleant Musabelliut, ish-punonjës i drejtorisë së Burgjeve. Ai ka informuar grupin e Ervis Martinajt, duke i siguruar foto dhe të dhëna mbi lëvizjet e shënjestrës. Në këtë rast ai ka krijuar kushtet për vrasjen. Ky atentat dështoi për rrethana ende të paqarta deri më sot nga autoritetet. Vrasja e Musabelliut, fillimisht në bazë të transkripteve, ishte marrë përsipër nga Behar Bajri, i cili flet me Gjokën dhe i thotë se kishte gjetur tre vrasës të huaj: një arab, një nga Kosova dhe një serb. Ata kërkonin 100 mijë euro, teksa Gjoka i thotë që nëse është nevoja t’i japin edhe më shumë. Por Bajri del garant duke i thënë, që për kaq para do ta bënin vetë.