Connect with us

Aktualitet

VOA: Fermerët shqiptarë hasin probleme me shitjen e grurit

Në Shqipëri mjaft fermerë po hasin vështirësi në shitjen e grurit të sivjetshëm për shkak se çmimi i tregut është thuajse i njëjtë me kostot e prodhimit. Autoritetet u bënë thirrje atyre një vit më parë, pas agresionit rus në Ukrainë që të kultivojnë grurë me qëllim për të zbutur pasojat e krizës së furnizimeve që shkaktoi lufta. Por megjithë shtimin e subvencioneve sipërfaqet e mbjella nuk u zgjeruan ndjeshëm. Autoritetet thonë se ndihma financiare kishte synim ta ruante këtë sipërfaqe dhe të konsolidonte prodhimin. Ndërkaq situatën e kanë bërë më të vështirë edhe problemet e mbartura në bujqësi që lidhen më së shumti me informalitetin dhe copëzimin e tokës.

Në Shqipëri ditët e fundit fermerë të kultivimit të grurit dhe ekspertë të fushës së bujqësisë po shprehin shqetësim në rritje, pasi çmimi i shitjes së grurit në treg është i njëjtë, ose në disa raste dhe nën koston e prodhimit, dhe varion nga 26-27 lekë të reja për kg, ose 27 mijë lekë për ton. Çmimi u dyfishua pas agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022, dhe mbërriti mbi 500 dollarë për ton, por tregjet u stabilizuan sërish pas arritjes së marrëveshjes mes Rusisë dhe Ukrainës për transportin e drithërave të Ukrainës në Detin e Zi, në korrik të po këtij viti.

Franc Kaloshi një fermer në zonën e Lushnjës i cili kultivon grurë që prej 22 vitesh tha për Zërin e Amerikës, se ky është viti i tij më i vështirë. Kostot e prodhimit janë rritur thotë ai dhe çmimi i tregut është nën këto kosto.

“Prodhimi është në tokë, kjo s’ka ndodhur prej 22 vitesh. Nuk mund ta shes me këtë çmim që është në treg. E kam lënë këtu në magazinë. Nëse del një çmim tjetër më i lartë, do ta shes. Nëse nuk e shes grurin, vitin tjetër unë nuk mbjell asnjë hektarë me grurë, sepse nuk mundem. Shteti më subvencionon mua naftë për 10 ha, që

 

 

do të thotë 910 litra naftë. Me kaq naftë, traktorët e mi punuan 48 orë. Megjithatë e falenderoj shtetin dhe për kaq sa më dha”-u shpreh për Zërin e Amerikës Franc Kaloshi, fermer në zonën e Lushnjës.

Situata e viteve të fundit në bujqësi ka qenë e vështirë si pasojë e krizave që shkaktoi pandemia e Koronavirusit, dhe kryesisht agresioni rus në Ukraninë që solli një rritje të ndjeshme të çmimeve në gjithë zinxhirin e furnizimeve në tregjet globale. Para fillimit të krizës çmimi i grurit në bursë ishte pak a shumë i njëjtë me atë që tregtohet sot, por fermerët thonë se kostot e prodhimit janë rritur me 25-30% për shkak të rritjes së çmimit të imputeve bujqësore, naftës apo fuqisë punëtore, duke mbërritur në kufijtë e çmimit të shitjes. Një prej grumbulluesve të grurit në vend, i lidh me disa faktorë këto kosto të larta.

“Ka shumë probleme fermeri te ne, që nga copëzimi i tokës në ngastra, cilësia e pesticideve apo e farërave. Por gruri në gjithë botën subvencionohet që nga Kanadaja, Amerika, Greqia, Austria, Serbia apo Maqedonia. Nuk ka shtet që nuk e subvencionon grurin, madje subvencionohet fuqishëm. Përndryshe gruri nuk arrin të prodhohet dhe të dalë në treg me sukses. Tek ne është bërë një subvencionim për 4 mijë fermerë, por pjesa që nuk ka marrë është e pambrojtur, megjithëse dhe ata që kanë marrë ankohen.”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Adi Haxhiymeri Kryetar i Unionit të Prodhuesve të miellit.

Një vit më parë qeveria shqiptare për herë të parë, njoftoi subvencionimin me 30 mijë lekë të reja për ha për kultivimin e grurit që iu shtuan disa skemave të mbështetjes së fermerëve me naftë. Por kjo nuk ndikoi në një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së grurit në vend. Autoritetet thanë për Zërin e Amerikës se çmimi është produkt i kërkesës dhe ofertës në tregjet ndërkombëtare dhe se ndërhyrjet financiare dhanë efeket në konsolidimin e sipërfaqes së kultivimit të grurit.

“Mbjelljet që e pasuan e konfirmuan këtë gjë. Sipërfaqja jo vetëm që nuk u ul por u shtua me rreth 3 mijë ha. Ishte një ndihmë jo e

vogël për fermerët që e përfituan sepse ulën kostot e prodhimit. 30 mijë lekë për ha, është një ulje e ndjeshme në kushtet kur çmimi i naftës dhe ato të imputeve u rritën ndjeshëm. Kemi diçka më shumë se 3 mijë ha më shumë në kushte ekstreme. Fermerët pas subvencionimit u përballën me kosto më të ulëta. Kemi bërë maksimumin brenda kufijve të buxhetit. Kemi ndërhyrë për të ulur kostot”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Irfan Tarelli, Drejtor i Politikave Zhvillimore në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ditët e fundit në bursë ka një trend rritës të çmimit të grurit, nga 250 në 300 dollarë për ton, si pasojë e tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja që i lejonte Ukrainës eksportin e drithërave në Detin e Zi. Kjo mund të sjellë një situatë të favorshme për fermerët shqiptarë pasi mund ta shesin grurin me një çmim më të lartë.

Sipërfaqja e grurit sipas të dhënave të INSTAT, është zvogëluar ndjeshëm prej viteve 2000, me 62%, dhe me 21% vetëm në 5 vitet e fundit dhe prodhimi vendas plotëson gjysmën e nevojave. Shkalla e subvencioneve në bujqësi edhe pse ka njohur rritje këto vite, sërish është e pamjaftueshme sipas ekspertëve, për të ndikuar në rritjen e sipërfaqeve të mbjella me grurë. Përvec kësaj mjaft fermerë penalizohen nga mungesa e dokumentacionit të pronësisë mbi tokën. Franc Kaloshi dhe familja e tij, kultivojnë prodhime të ndryshme bujqësore në një sipërfaqe prej 220 ha tokë në zonën e Lushnjës, por nuk zotërojnë dokumenta të rregullta pronësie për gjithë sipërfaqen. Kjo e dëmtoi atë në rastin e subvencionimit të grurit me 30 mijë lekë për ha.

“ Unë aplikova për 68 ha, dhe përfitova subvencionim vetëm për 16 ha. Kjo ndodhi se unë vetëm për kaq hektarë kisha dokumenta të rregullta pronësie, sipas ligjit. Deri tani ne nuk na është kërkuar kontratë qeraje për tokën në administrim, dhe nuk i kemi dhënë shumë rëndësi. Nga ky moment që po kërkohet ne po lidhim kontrata qeraje të rregullta, pasi na ndihmon për të përvetësuar

subvencionimet nga shteti, që edhe pse mund të jenë të ulëta, sërish na vijnë në ndihmë”- vijoi Franc Kaloshi, fermer në zonën e Lushnjës.

Edhe grumbullesit e grurit e shohin si një problem serioz informalitetin në bujqësi, që sipas tyre e dëmton shumë fermerin dhe prodhimin bujqësor në tërësi.

“Fakti që ne në vitin 2023 nuk kemi ende çertifikata pronësie për çdo njeri që ka një tokë është absurde. Rrjedhimisht duke mos patur dokumenta, je jashtë loje, je i patrajtuar me mbështetje financiare. Kjo nuk diskutohet”- pohoi Adi Haxhiymeri Kryetar i Unionit të Prodhuesve të miellit.

Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë i thanë Zërit të Amerikës se janë rritur përpjekjet për formalizimin e fermerëve dhe se dhënia e subvencioneve është gjithashtu një masë nxitëse.

E megjithatë ekspertë të fushës së bujqësisë mendojnë se krahas skemave financiare në ndihmë të fermerëve, autoritetet duhet të hartojnë politika më të qarta bujqësore me qëllim orientimin e fermerëve.

“Kur të ndërtohen politikat bujqësore të merren parasysh që të ketë një orientim sa më të drejtë të fermerëve. Të mos diskutohet vetëm sipërfaqja për të rritur prodhimin. Të bëhet studim i tregut. Cili është ai kultivar gruri që kërkohet nga industria përpunuese, të gjithë zinxhirët duhet të jenë në sinkron me njëri- tjetrin”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Ilir Pilku ekspert i bujqësisë.

Por përveç problemit të çmimit të shitjes së grurit, pak a shumë të njëjtë me kostot e prodhimit, fermerët u përballën këtë vit edhe me kushte të rënduara klimatike të shoqëruara me reshje të shumta në prag të korrjeve që sipas ekpsertëve dëmtuan cilësinë. Disa grumbullues thanë se cilësia është bërë pengesë për blerjen e grurit në tregun vendas, por autoritetet

argumentojnë se ky konstatim nuk mund të përgjithësohet, dhe se për ta mbetet problem çmimi i pafavorshëm në bursë dhe jo cilësia.

Por situata në vazhdim duket se do të varet nga tregjet globale, të cilat janë në pritje të zhvillimeve të reja pasi Rusia pezulloi pjesëmarrjen në marrëveshjen që i krijonte mundësi Ukrainës të eksportonte grurë përmes Detit të Zi. Kjo marrëveshje u ndërmjetësua nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia me qëllim për të lehtësuar krizën globale ushqimore. Ukraina është prodhues i madh i drithërave dhe ndërprerja e eksporteve prej saj mund të risjellë një tronditje të tregjeve dhe ndoshta një çmim të ri më lartë të grurit në bursë./VOA

Aktualitet

Ilir Meta: Monika më ka nxitur të merrem me palestër, po bëj gjithçka që të motivoj të rinjtë

Ilir Meta, përgjatë muajve të fundit e ka marrë shumë seriozisht palestrën dhe e kemi parë mjaft të fokusuar në ushtrimet fizike.

Por, kush e ka inspiruar vallë Metën që t’i futet më kokë aktivitetit fizik? Epo, kush tjetër veçse bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi e cila po ashtu ushtrohet pothuajse çdo ditë. I ftuar në “News 24”, Meta tha se Monika e ka motivuar që ai t’i futet sportit.

Me aktivitetet e mia sportive kam dashur te jap mesazhin per mbrojtjen e shendetit nepermjet sportit Garat na ndihmojne te gjitheve.

Pa stervitje dhe pa djersitje nuk ka arritje. Monika ka qene nje nga nxiteset qe une te merresha me palester.

Stresi im i vetem eshte si te ndaloj shqiptaret te ikin nga Shqiperia. Por tani e kemi gjetur ilacin “5 prioritete per 4 milion shqiptare plus” Ne duhet ti motivojme te rinjte te merren me sport.

Me pelqen qe shoh shume njerez qe merren me sport dhe sterviten ne palester. Po bej gjithcka qe te motivoj te rinjte te merren me sport.

Partia e Lirisë, PAKETË SPECIALE për mbështetjen e të gjithë atyre që investojnë për hapjen e palestrave! Kur stervitem degjoj kenget per Adem Jasharin, Per ty Atdhe dhe “Ku ka si ti o Shqiperia ime”, – tha Meta.

Kujtojmë se mes Metës dhe Kryemadhit kohët e fundit ka pasur përplasje politike, e cila është konfirmuar nga të dy. Gjithashtu kohët e fundit, raportohet se ata nuk jetojnë më në një shtëpi, pasi siç tha Monika Kryemadhi, janë futur palë të treta, që nuk i kanë ndarë vetëm politikisht.

Continue Reading

Aktualitet

Skema e re e pensioneve: Do të rriten më shumë të ardhurat për rezidentët dhe ata që banojnë në fshat

Teksa opozita kërkon të miratohet një minimum jetik për çdo shqiptar që ka mundësi të kufizuara mirëqenieje, qeveria po rishikon skemën e pensioneve.

Sipas të dhënave brenda vitit do të ketë një skemë e cila do të marrë në konsideratë dy elemente kryesor. Milva Ekonomi deputete e mazhorancës zbardhi disa detaje nga kjo skemë e cila po negociohet me bankën botërore

“Nuk ka ende detaje konkrete, por në parim dy janë shtyllat kryesore që po shihen. Së pari rezidentët brenda dhe jashtë vendit si dhe pensionistët urban dhe rural. E thënë ndryshe, prioritet në rritjen e pensionit do të kenë ata pensionistë që jetojnë në Shqipëri, më shumë se ata që kanë një rezidencë jashtë Shqipërie. Natyrisht edhe ata jashtë do të përfitojnë rritje pensioni, por me një diferencim në indeksim që bën qeveria vit pas viti. Këto janë planet e ministrisë së Financave”, sqaroi Ekonomi në emisioni E-ZONE.

Skema e re që do të rishikohet ka si fokus edhe adresimin e një fenomeni shumë shqetësues, siç është emigrimi i shqiptarëve nga zonat rurale. Ndaj rishikimi i skemës së pensioneve do të ketë në konsideratë edhe këtë faktor.
Continue Reading

Aktualitet

Konfindustria kërkon ndërhyrje urgjente për Durrës-Tiranë, të hetohet korrupsioni te rrugët

Konfindustria përmes një njoftimi publik i kërkon ekzekutivit që të ndërhyjë për të përmirësuar situatën mjaft të vështirë të dy akseve rrugore më strategjike të vendit, konkretisht: Tiranë-Durrës dhe Durrës-Rrogozhinë.Segmentet rrugorë të mësipërm janë tërësisht jashtë standarteve teknike të lejueshme, përveç pamundësisë për të përballuar ngarkesën e lartë të lëvizjes të qytetarëve dhe bizneseve, paraqesin dhe rrezik mjaft të lartë për aksidente me pasoja fatale për jetën- thuhet në njoftimin për shtyp.

Konfindustria vlerëson, se ndërhyrjet përmirësuese në akset rrugore, që lidhin kryeqytetin dhe portin kryesor të Shqipërisë, është e domosdoshme të kryhet para fillimit të sezonit turistik 2024. Gjëndja plotësisht jashtë standarteve e segmenteve rrugore në fjalë janë goditje e rëndë edhe për turizmin shqiptar.

Konfindustria gjithashtu, i kërkohet institucioneve të drejtësisë dhe SPAK të vlerësojnë mundësinë e shkallës së lartë të korrupsionit në sistemin e tenderimit të mirëmbajtjes rrugore ku, megjithëse shpenzohen me qindra milionë Euro, gjëndja paraqitet e papranueshme. Institucioni ka marrë si shembull akset rrugore Tiranë-Durrës dhe Durrës-Rrogozhinë që ishin gjithashtu pjesë e projektit të rehabilitimit të rrugëve prej 80 milionë dollarësh të Bankës Botërore të mbyllur së fundmi, krahas financimit të buxhetit vjetor.

Marrë nga Monitor

Continue Reading

Aktualitet

Vranë djalin dhe tentuan t’a fshehin si aksident, Prokuroria e Korçës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq prindërit

Vrau të birin dhe tentoi t’a fshehë si aksident, Prokuroria Korçë përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq prindërit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, mbylli hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasit Sh.B. i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” si dhe shtetasen H.B. për kryerje të veprës penale “Deklaratat e rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga neni 305/ i Kodit Penal.

Nga tërësia e provave të grumbulluara gjatë hetimit për procedimin penal nr.126/2023, rezulton e provuar se në datën 17.02.2023, rreth orës 16:00, është marrë njoftim se në Urgjencën e Spitalit Rajonal Korçë, ishte transportuar me autoambulancë për të marrë ndihmë mjekësore shtetasi H. B., me dëmtime në pjesën e kokës. Ky shtetas, pak çaste më vonë, ka ndërruar jetë në ambientet e reanimacionit të këtij spitali. Sipas pretendimeve të para të familjarëve, ai ishte rrëzuar dhe kishte vrarë kokën, në oborrin e banesës, duke qenë në gjendje të dehur.

Nga veprimet hetimore, rezultoi se ngjarja e paraqitur si aksidentale, në fakt ishte ngjarje kriminale dhe në orën 02:00, të datës 18.02.2023, u bë arrestimi në flagrancë i babait të viktimës, shtetasit Sh. B., si i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale, konkretisht “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i K.Penal”, i cili pranoi autorësinë e krimit.

Është marrë deklarim nga shtetasia H.B., mamaja e viktimës, e cila ka deklaruar se i biri është kthyer nga Franca pasi është divorcuar me të shoqen dhe që atëherë konsumonte shumë alkool. Ajo ka qenë me bashkëshortin në banesë kur ka dëgjuar zhurmën e derës së oborrit. Ata kanë dalë dhe kanë parë Hamdiun, i cili ishte i gjakosur nga koka dhe ata e kanë futur në shtëpi. Çka nuk rezultoi e vërtetë.

Sa më sipër, nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dhe aktet e administruara në fashikullin e procedimit penal, rezulton e provuar se shtetasi Sh. B., ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal, pasi me veprimet e tij aktive, të kundërligjshme, të kryera me dashje, ka vrarë djalin e tij, shtetasin H.B.

Në rastin konkret, autori me dashje dhe me vullnet të plotë si dhe me qëllimin për ta vrarë, ka goditur djalin e tij në kokë, disa herë. Ai ka marrë dhe ka përdorur çekiç gurësh dhe dru zjarri si armë të krimit dhe pasi i ka dhënë goditjet fatale të birit, është përpjekur ta mbulojë krimin si vetëdëmtim të viktimës, duke përforcuar idenë që veprimet e tij në drejtim të vrasjes të të birit kanë qënë të vullnetshme dhe të qëllimta për të sjellë pasojën e dëshiruar, humbjen e jetës të të birit.

Sa më sipër e bazuar në kërkesat e nenit 331 të K.Proc.Penale Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, kërkoi:

– Dërgimin në gjyq të çështjes penale Nr.126/2023 me të pandehur shtetasin Sh. B., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i K.Penal dhe me të pandehur shtetasen H. B., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Deklaratat e rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga neni 305/b i Kodit Penal

Continue Reading

Aktualitet

VIDEO/ Qentë e rrugës në Vlorë kafshojnë turisten buzë lungomares

Një incident është regjistruar mëngjesin e kësaj të diele në Vlorë, ku një turiste e huaj është kafshuar nga qentë e rrugës.

Ngjarja ka ndodhur buzë lungomares, ku turistja, një vajzë në moshë të re, kishte dalë për të vrapuar. Siç shihet edhe në videon e mëposhtme, katër qenësh rruge i janë sulur, duke e kafshuar në këmbë.

Banorët e zonës i kanë dhënë ndihmën e parë turistes, duke e dezinfektuar plagën me alkool. Ky nuk është incidenti i parë që qentë e rrugës sulmojnë qytetarët.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING