Connect with us

Sport

Trajneri i Valmerias i mërzitur: Golat e Partizanit mund të evitoheshin

Valmeria nuk ia doli të merrte një rezultat pozitiv mbrëmë, ku në Conference League në turin e 3-të u mund 1-2 nga Partizani. Nuk mund të ishte i lumtur trajneri i skuadrës nga Letonia, Jurgis Kalns, në intervistën pas sfidës.

“Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, mendoj se ishim skuadra më e mirë në fushën e lojës. Në fillimin e pjesës së dytë, Gustavo kishte mundësinë të shënonte golin e dytë në një rast të mirë. Mendoj se nëse do të ishte realizuar, ndeshja do të kishte përfunduar shumë ndryshe. U kthyem pas, qendrat nuk mundën më të dilnin para, këmbët u rënduan dhe kundërshtarët e ndjenë se mund të luanin. Kjo është ajo për të cilën kisha folur më përpara, duhet të luash topin që kundërshtari të ketë frikë. Ia dolëm në pjesën e parë, ishim bindës. Kishte episode në të cilat bëmë gabime fëminore dhe skuadra e Partizanit e kuptoi që mund të luante, në pjesën e dytë ata e ndjenë plotësisht.

Ata ndjenë kontrollin e topit, ndjenë se mund të luanin me ne, që nuk jemi aq të frikshëm. Siç e thashë, nuk e dinin çfarë të prisnin nga ne dhe treguan një ndeshje tërësisht ndryshe. Të dy golat e pësuar, të cilët nuk dua t’i komentoj, ishin të dy incidente fatkeqe, dy rrëshqitje, pësuam dy gola budallenj në një ndeshje që duhej të kishim fituar. Për fat të keq, duhet ta pranojmë superioritetin e kundërshtarit, por ka një ndeshje të dytë, 90 minuta të tjera. Pas asaj që pashë sot, jam pozitiv rreth mundësisë që të kalojmë këtë tur” – Tha ai.

Advertisement