Politike
Kavaja në kantier në kulmin e verës, Balla shpërthen ndaj Qosjes: Tre vite pa punë, tani shkallmohet qendra
Nisja e punimeve në bulevardin kryesor të Kavajës, pikërisht në kulmin e sezonit turistik, ka shkaktuar përplasje politike dhe shqetësim për ndikimin që ndërhyrja mund të ketë te bizneset dhe ekonomia lokale.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, ka sulmuar kryetarin e Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, duke e akuzuar se ka zgjedhur periudhën më të papërshtatshme të vitit për të nisur punimet në qendër të qytetit.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Balla deklaroi se administrata e Qosjes, pas tre vitesh pa investime të dukshme, ka vendosur të ndërhyjë në sheshin qendror gjatë muajve kur Kavaja dhe zona përreth përballen me fluksin më të madh të turistëve.
“Po si ka mundësi që mjafton të kesh vulën e bufit dhe janë të gjithë njëlloj. Pas tre vitesh, pa asnjë punë, sot, mu në kulm të sezonit, shkallmohet qendra e Kavajës”, u shpreh Balla.
Punimet në një prej akseve kryesore të qytetit pritet të sjellin vështirësi në qarkullim, ndërsa bizneset lokale rrezikojnë të përballen me rënie të klientëve gjatë periudhës më të rëndësishme të vitit.
Deri tani, kryebashkiaku Fisnik Qosja nuk ka reaguar publikisht ndaj akuzave të Ballës dhe as nuk ka sqaruar afatet e përfundimit të punimeve.