Connect with us

Politike

Përplasjet Berisha-Basha/ PD e Kukësit: Të dalim me kandidat të përbashkët në zgjedhje

Partia Demokratike dega e Kukësit, bën sërish thirrje që palët të dalin me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet që do të mbahen më 24 shtator.

Kërkesa vjen pas deklaratës së Berishës, i cili tha se nuk do të bëjnë asnjë aleancë me Lulzim Bashën.

“Partia Demokratike Dega Kukës rikonfirmon para të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të saj apelin për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për të gjithë demokratët, bashkimin e tyre në një përfaqësim dinjitoz, për të garuar me një kandidaturë të gjithëpranuar.

Demokratët kanë humbur shumë prej frymës së konfliktit dhe gjuhës së përçarjes. Interesi i demokratëve dhe i të gjithë qytetarëve të Kukësit që duan ndryshim është dalja me një kandidat të vetëm të të gjithë spektrit opozitar për bashkinë Kukës.

Ka ardhur koha që të gjithë demokratët dhe opozitarët, të mos humbin më asnjë shans për shkak të vendosjes së interesit personal mbi atë të demokratëve.

Partia Demokratike është e përkushtuar pa asnjë rezervë dhe paragjykim për të mundësuar përfaqësimin dinjitoz të së djathtës shqiptare në garën për Bashkinë e Kukësit me një kandidat fitues dhe e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që duan një kandidat të denjë për Kukësin dhe një Parti Demokratike fituese, si e vetmja shpresë për kthimin e pushtetit në duart e qytetarëve”, shkruan PD e Kukësit.

Advertisement