Connect with us

Aktualitet

Turistët italianë marrin vëmendjen, Fuga: Në çfarë derexheje…

Akademiku dhe pedagogu Artan Fuga ka komentuar me ironi lajmin e raportuar një ditë më parë se dy turistë italianë kishin dorëzuar në komisariatin e Lushnjës një portofol me lekë.

Në një postim në “Facebook”, Fuga shkruan se një gazetar investigativ i një medie prestigjioze po hulumton se çfarë lidhje ka ngjarja e Beratit ku katër gjoja italianë vodhën pronarin e një restoranti, zonja e të cilit e quajti veten gjysmë-italiane; me ngjarjen e Lushnjës ku italianët ne vend te shkonin të blinin kadaif ose paçe apo ndonjë kos deleje të leshtë, në ndonjë lokal, i dorëzuan lekët në komisariatin më të afërt, duke ndryshuar itinerarin e udhëtimit me disa dhjetëra kilometra, duke mposhtur tentacione infernale.

“Itali – Shqipëri 1:1”, shkruan Fuga duke shtuar: “Një autogol italianët në Berat
Dhe po ata shënojnë në Lushnje”.
Ironia e tij shkon më tej, teksa shkruan se Rai po përgatit një kronikë të zgjeruar në formë dokumentari në bashkëpunim me një televizion të famshëm në Shqipëri.
POSTIMI I PLOTË
Hahahahaha
Agjencia Telegrafike Shqiptare jep lajmin e madh, scoop-in, atë qe gjithë media botërore do ta pasqyrojë, atë që ndodh rralle, diçka krejt e habitshme, nuk ndodh askund tjetër prej 6000 vjetësh: dy çiklistë, turistë italianë, gjetën një portofol plot me lekë, dhe e dorëzuan në policinë e Lushnjës.

Lushnjarët e kanë zakon që humbasim portofolat. Shenjë bollëku myzeqar – deklaroi një deputet, specialist i këngës: Osman Takja – djalë i bukur!
Nuk dihet të kujt ishin lekët. Ku i kishte gjetur lekët i zoti i portofolit, në ç’vend fiks i kishte humbur, a iu dorëzuan apo jo, si është e mundur që shqiptarë që kalonin aty pari nuk i kishin gjetur më përpara, çfarë prerje kishin lekët, dhe çfarë mesazhi dha për miqësinë Itali-Shqipëri humbësi i portofolit kur iu kthyen lekët.
Dihet se i kishte thënë një komshiu se ato lekë do t’i ruante pa harxhuar si një dhuratë, do t’i fuste në qyp, shenjë rënë nga Qielli, parathoshin fat dhe zhvillime të mbara!
Më e rëndësishme akoma, në portofol ishte edhe karta e tij e identitetit. Kjo, që paratë e humbura t’i ktheheshin, në rast se portofoli do t’i binte nga xhepi!

 

 

Dikush thotë se i zoti e kishte hedhur portofolin me qëllim në pistën ku biciklonin turistë për t’i provuar ndërgjegjen e tyre. Përpara tyre kishin kaluar çiklistë grekë, por asnjërit prej tyre nuk kishte denjuar t’i hidhet sytë portofolit provokues mbushur me lekë. Kjo tregon dallimin e madh midis çiklizmit në Greqi dhe në Itali – deklaroi ish-shefi i federatës së çikloturizmit në Maltë!

Ato lekë mund të kishin përfunduar në plehra dhe drejt e në inceneratorin e Fierit! – tha ish-nënkryetari i bashkisë Lushnjë në një intervistë për një televizion të Tiranës!

Një gazetar investigativ i një medie prestigjioze po hulumton se çfarë lidhje ka ngjarja e Beratit ku katër gjoja italianë vodhën pronarin e një restoranti, zonja e të cilit e quajti veten gjysmë-italiane; me ngjarjen e Lushnjës ku italianët ne vend te shkonin të blinin kadaif ose paçe apo ndonjë kos deleje të leshtë, në ndonjë lokal, si te restorant “Kozi”, i dorëzuan lekët në komisariatin më të afërt, duke ndryshuar itinerarin e udhëtimit me disa dhjetëra kilometra, duke mposhtur tentacione infernale.

Kush gjen lekë dhe i dorëzon, siç ndodh përditë këto ditë vere, merr si shpërblim edhe një foto me policë të komisariatit ku dorëzon lekët!
Itali – Shqipëri 1:1
Një autogol italianët në Berat
Dhe po ata shënojnë në Lushnje
Më kujtohet kur kombëtarja jonë luante me Kinën dhe dilte 7 me 7.
Pasi Agjencia Telegrafike Shqiptare e dha lajmin jashtëzakonisht të rëndësishëm dhjetëra media e ritransmetuan.
Rai po përgatit një kronikë të zgjeruar në formë dokumentari në bashkëpunim me një televizion të famshëm në Shqipëri. Po ashtu po xhirohet një film me titull: Portofoli i Lushnjës!
Në çfarë derexheje kemi arritur!!!
Çfarë po i bëjnë informimit të qytetarit!
Mire banalitete idioteske, por edhe një infantilizim shqetësues i përgjithësuar.
Po mosni more mosni! Mos budallallepsni njerëzit!

Advertisement