Bota
Moska e konfirmon: U krye testi i ADN-së, Prigozhin ka vdekur
Autoritetet ruse deklaruan këtë të diel se testet gjenetike kishin konfirmuar se Yevgeny Prigozhin, shefi i grupit mercenar Wagner, ishte në mesin e 10 personave të vrarë në një aksident avioni javën e kaluar. Agjencia ruse e aviacionit kishte publikuar më parë emrat e të 10 personave në bordin e avionit privat që u rrëzua në rajonin Tver në veriperëndim të Moskës. Mes tyre ishte Prigozhin dhe Dmitry Utkin, krahu i tij i djathtë që ndihmoi në themelimin e grupit Wagner. Ky konfirmim vjen pasi në rrjetet sociale kishin nisur të qarkullonin spekulime të shumta, veçanërisht në kanalet pro-Wagnerr, nëse Prigozhin – i cili njihej se merrte masa të ndryshme sigurie në pritje të një tentative të mundshme për jetën e tij – kishte qenë vërtet në fluturimin e gabuar. Megjithatë autoritetet ende nuk kanë thënë se çfarë e shkaktoi rrëzimin e avionit të tij privat nga qielli. Incidenti u shënua vetëm 2 muaj pasi Prigozhin dhe mercenarët e tij Wagnerr organizuan një rebelim kundër komandantëve ushtarakë rusë duke marrë kontrollin e qytetit Rostov, dhe përparuan drejt Moskës përpara se të ktheheshin rreth 200 kilometra nga kryeqyteti. Presidenti rus Vladimir Putin e përshkroi rebelimin si një “thikë pas shpine“, por më vonë besohet se u takua me Prigozhin në Kremlin. Ai shprehu ngushëllimet e tij për familjet e atyre që besohet se kanë vdekur në aksident. Politikanët perëndimorë kanë hedhur dyshime se ndoshta Putini urdhëroi që Prigozhin të vritej si ndëshkim për kryengritjen.