Shkrime
Vjosa do shuhet si histori turpi, është produkt njëpërdorimësh i Kurtit
Nga Baton Haxhiu
Vjosa Osmani deklaroi se paralajmërimi i Presidentit Macron për pasojat e mundshme në rast të dështimit të zbatimit të ujdisë mes Kosovës e Serbisë është një mënyrë për ta vrarë vetë dialogun. Kjo është një deklaratë jo thjesht e pamatur, por realisht e tmerrshme nga kreu i shtetit të Kosovës.
Në krye të herës, Osmani e vendos veten në një pozitë jo vetëm që i ligjëron Presidentit Macron për çështjet e Ballkanit Perëndimor, por flet me tone kërcënuese nga pozita e një shteti me një grumbull të pamatshëm problemesh pikërisht ndaj Francës, një prej vendeve lider të BE-se, një shteti me ulëse permanente në Këshillin e Sigurimit, një force nukleare dhe ndaj një fuqie botërore ndikimi i së cilës është vendimtar nga Afrika deri te lufta në Ukrainë.
Pra, pasioni megaloman I Vjosa Osmanit, që buron nga psikologjia e një fëmije të llastuar, është ana më e lehtë e çështjes krahasuar me pasojat e mundshme diplomatike e politike të kësaj qasjeje në rrafsh ndërkombëtar.
Në radhë të dytë, Presidenti Macron nuk ka kërkuar asgjë më tepër se zbatimin e një marrëveshje që vetë Osmani e Kurti e kanë duartrokitur me entuziazëm të papërmbajtur.
Po cfarë ka ndodhur tani që Vjosa Osmanit i duket vetja në pozitë ta qortojë Presidentin e Francës ashtu siç iu bërtet vartësve të saj në Presidencë nga Shefi i Kabinetit e më poshtë në momentet e humbjes së shpeshtë të kontrollit mendor, pasi në përplasjen me Macron, Kosova do të jetë bartësja e vetme e pasojave politike të kësaj sjelljeje aventuriere.
Vjosa Osmani nuk ka bërë vetëm një dëm monumental në politikën e jashtme. Në fakt, ajo i rrëzoi edhe arsyetimin kryesor të Albin Kurtit se ai është duke e vazhduar dialogun si një e keqe e domosdoshme.
Sipas Vjosa Osmanit, tërheqja është një opsion rezervë i Kosovës në rast të përshkallëzimit të masave të BE-së ndaj saj. Në mendjen e saj të ngushte, mund të duket se me këtë deklaratë ajo ka paralajmëruar përmbysje të paradigmave të politikës ndërkombëtare. Që kjo nuk është e vërtetë, s’do mend, por studim kërkon sjellja e dyfishtë e Osmanit e Kurtit në politikën e brendshme përkundër asaj të jashtme.
Metafora e ‘pulës dhe skifterit’ e përdorur nga Albin Kurti për të përshkruar sjelljen kryelartë të krerëve shtetërorë në rrafshin ndërkombëtar dhe atë të përulur në fushën e politikës së brendshme, pa dyshim se është palidhje (pothuajse si çdo shprehje simbolike që shkakton vetë-magjepsje të pafundme në brendinë e tij, nga kafeja pa kupë, qerrja pa kalë, ngrënia e makaronave spageti me lugë) etj etj
Në universin paralel të ndjekësve të tij të verbër, kjo quhet filozofi. Mirëpo në botën reale të politik-bërësve të përgjegjshëm të Kosovës, personaliteti i dyfishtë i Vjosa Osmanit, një fytyrë tjetër jashtë e një fytyrë tjetër brenda, ka sfiduar edhe kufijtë më fundorë të metaforave pa lidhje të Kurtit, me pula e skiftera, me zogj dhe shota, me zvarranikë të pështirë që ëndërrojnë se janë luanë të patrembur.
Vjosa Osmani që nga dita e parë në zyrë është sjellë si një shërbëtore e Albin Kurtit. Në asnjë hap të vetëm në dialog, i cili shkoi thellësisht keq duke përfunduar pa njohje, për shkak të veprimeve të Albin Kurtit, ajo nuk e ka ushtruar asnjëherë funksionin e përfaqësueses së unitetit të popullit, por ka treguar se është zëdhënëss e dobët e Albin Kurtit në çdo gafë në dialog: nga sulmi për njëanshmërine e Borell-it, deri te gënjeshtra për versione të tmerrshme të cilat i paska shmangur Kosova në Ohër në funksion të shitjes se planit franko-gjerman deri te arsyetimi i shefit të saj për një sërë veprimesh që e vunë Kosovën nën sanksione ndërkombëtare.
Presidentja Osmani ka bërë atë që di të bëj më mire – rolin e shërbëtores dinake. Sidoqoftë, ajo është e vetëdijshme që pabesitë e saj kanë kufij. Vjosa Osmani mund të mos jetë takuar asnjëherë me huliganë e banditë sic eshte takuar Mimoza Kusari Lila, disa prej të cilëve humbin partitë nëpër kazinotë e Kosovës dhe Shqipërisë, por ajo i nënshtrohet çdo ditë Albin Kurtit. Jaerdhi dita që Vjosa Osmani, pikërisht ajo që qante kafeterive të Prishtinës se Isa Mustafa nuk do ta kandidonte për Kryeministre kundër Albin Kurtit, të cilin e quante dikur Hugo Chavez, iu hakërrua Presidentit Francez se politika e tij është thjesht një mënyrë për të vrarë dialogun.
Pra, jo vetëm që Vjosa etani po e sheh veten si një lidere e permasave ndërkombëtare, por ka marrë edhe trutë e Albin Kurtit se, ata të dy janë mësues, ligjërues dhe profesorë të politikës për gjithë përfaqësuesit mjeran, mendjepakët, madje dashakëqij të bashkësisë ndërkombëtare.
Me fjalë të tjera, argumentet e Vjosa Osmanit kundër Macron-it, jo vetëm që janë skandaloze nga projektimi i një fuqie të paqenë politike në arenën ndërkombëtare, por para së gjithash janë argumente kundër vetë politikës së tyre në rrafshin e brendshëm.
Për këtë, nuk ka përse Vjosa të bëhet skiftere sytrembur jashtë, kur duhet të sillet si pule e lagur brenda, në rast se do kishte vetëm pak fytyrë, vetëdije dhe ndërgjegje.
E dimë, e dimë, kjo është një kërkesë shumë e madhe për Vjosa Osmanin.
Sidoqoftë, pasojat e kësaj politike të udhëhequr nga dy personalitete krejtësisht të papjekura, do të jenë shumë afatgjata dhe pothuajse të pariparueshme për Kosovën.
Beteja me paaftësinë e mashtrimet e Albin Kurtit mbase do të zgjasë edhe ca kohë. Megjithatë, një gjë është krejtësisht e sigurt: Vjosa Osmani është një produkt njëpërdorimësh në politikën e Albin Kurtit, e cila do të shuhet pas këtij mandati në koshin e turpit të historisë së vendit.