Connect with us

Kosova

Cili është ‘kompromisi’ i Kurtit në takimin me Vuçiçin?

Në një intervistë për DW, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti flet për takimin e 14 shtatorit me Vuçiçin, masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe izolimin, situatën në veri dhe kërkesa e tij për BE-në.

DW: Kryeministër Kurti, me 14 shtator do të takoheni në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuciq, dhe është momenti kyç për Kosovën, për faktin që ju tashme jeni izoluar nga bashkësia ndërkombëtare. Dje ambasadori gjerman në Prishtinë tha se ka një fund për blame games, ku lojërat duhet të marrin fund  dhe kërkohet zgjidhje konkrete, çfarë ofroni ju?

Kurti: Javën që shkoi janë bërë një vit prej se emisari i posaqem i Gjermanisë Jens Plotner dhe ai i Francës Emanuel Bonn, bashkë me emisarin evropian Lajcak prezantuan iniciativën franko-gjermane që mandej u bë propozim i BE-së,  për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës  dhe Serbisë, me njohjen de facto në qendër.  Një vit nuk është pak dhe gjatë këtij viti ne kemi qenë konstruktivë dhe kreativë. Javën e ardhshme bëhen gjashtë muaj prej se zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrel në Ohër të Maqedonisë së Veriut, tha se ‘We have a deal’, pra kemi marrëveshje, sepse u pranua edhe aneksi i zbatimit. Andaj edhe gjashtë muaj nuk janë pak, dhe ja ku jemi sot, në prag të takimit të 14 shtatorit dhe nuk kemi zbatim të marrëveshjes.

DW: Por duket që problemi në këtë mes dhe personi konfliktuoz jeni ju, sepse në perëndim interpretohet me shumë që ju jeni bllokues i themelimit të Asociacionit të komunave serbe, që nuk ofroni rrugëdalje nga kriza në veri. Atëherë çfarë ofroni ju në këtë mes?

Kurti: Nuk do të thosha që perëndimi është homogjen ndaj qeverisë së Republikës së Kosovës, edhe atje ka zëra shumë të ndryshëm lidhur me atë se çfarë po ndodh dhe çfarë duhet të bëhet, por nuk duhet të harrojmë edhe faktin që ne kemi qenë të gatshëm ta nënshkruajmë marrëveshjen me 27 shkurt në Bruksel, ndërsa me 18 mars gjithashtu edhe në Ohër dhe është pala serbe ajo që e ka refuzuar nënshkrimin.

Sa i përket situatës në veri të Kosovës, ne kemi thënë që angazhohemi për deeskalim dhe më duhet të konstatoj që deeskalimi praktikisht ka ndodhur. Në duhet të mos kemi rieskalim, veçse rieskalimi potencial i ka rrënjët veçse në Beograd dhe kurrsesi në Prishtinë. Besoj që i është bërë e padrejtë Kosovës. Ne e kemi pranuar marrëveshje me 11 nene dhe gjashtë pika të preambulës, marrëveshja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga viti 2013 konsiderohet në mesin  e 39 marrëveshjeve, në nenin 10 të marrëveshjes bazike që ne e kemi bërë. Pra, neni 10 thotë se marrëveshjet e kaluara 39 sosh që janë të vlefshme dhe të obligueshme duhet të zbatohen, por aty janë 39 dhe jo vetëm dy.

DW: Por në fund të fundit politika është arti i kompromisit dhe edhe në këto dy pika duhet gjetur kompromisi. Atëherë, a do të këtë një kompromis për këto dy çështje të hapura në Bruksel?

Kurti: Artin e kompromisit tek ne e ka bërë Marti Ahtisari që praktikisht me propozimin e tij është vënë themeli i Kushtetutës së Kosovës. Në anën tjetër e kemi Serbinë e cila e ka Kushtetutën e Koshtunicës nga periudha kur ai ishte President. Të kërkosh nga Kosova që ta kompensojë Serbinë për humbjen e territorit në kohën e regjimit gjenocidal dhe fashist të Sllobodan Millosheviqit, është padrejtësi e madhe. Unë jam kryeministër i të gjithë serbëve në Kosovë, sikurse i shqiptarëve, romëve, ashkalinjëve egjiptasve, turqve, boshnjakëve dhe goranëve. 93 % janë shqiptar ndërsa, serb janë 4%. Unë jam kryeministër i të gjithëve i dëgjoj të drejtat që i kërkojnë, nevojat që i kanë, mirëpo nuk mund të pranojë kërkesa të etnonacionalizmit territorial. Unë ju kam thënë edhe Presidentit Vuciq, edhe ndërmjetësve evropian që unë nuk pranojë kërkesa jo territoriale, kërkesa për të drejtat e qytetarëve e jo për struktura të reja të cilat dëshirojnë të kenë fuqi ekzekutive dhe një president si lloji i Dodikut në Kosovë.

DW: Por unë nuk besoj që për çështjet territoriale do të bisedohet në Bruksel, por duhet një kompromis në ato pikat e hapura, veçanërisht për Asociacionin e serbëve dhe shtensionimin e situatës. Cilat janë konkretisht pikat ku do të lëvizni juve për të arritur kompromisin e duhur?

Kurti: Marrëveshja bazike e cila e ka njohjen de facto midis Kosovës dhe Serbisë ne qendër është një marrëveshje e cila duhet të zbatohet menjëherë pra pa vonesa plotësisht dhe pa kushte, nuk e ka në qendër Asociacionin, e ka njohjen de facto ne qendër, kështu edhe është prezantuar me nëntë shtator të vitit të kaluar në këtë zyrën time  dhe kështu duhet edhe ta zbatojmë. Unë nuk e mohoj që paraardhësit e mi kanë bërë marrëveshje, por ato marrëveshja ose nuk janë zbatuar nga Beogradi, ose nuk e kanë kaluar testin e gjykatës Kushtetues. Unë kam ofruar në Ohër ta shkruaj draft-statutin për nenin shtatë që është vetmenaxhimi i komunitetit serb në lidhje me nenin dhjetë dhe marrëveshjet e mëhershme me tri shtylla: Kushtetutshmëria dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, letra e zonjës Federika Mogherini, e cila thotë se nuk mund të ketë nivel të tretë të pushtetit me fuqi ekzekutive, dhe qëndrimi i Derek Schollet dhe Gabriel Escobar nga State-Departamenti amerikan për koordinim të këtyre komunave, mirëpo, presidenti i Serbisë e ka refuzuar një gjë të tillë.

DW: Por gjithsesi sanksionet janë implementuar ndaj juve, ndaj Kosovës dhe është edhe Gjermania  që ka qenë gjithmonë shumë pranë Kosovës që vendosi sanksione shtesë, atëherë duhet diçka për ta rifituar besimin dhe përkrahjen e Gjermanisë, çfarë ofroni ju?

Kurti: Me Gjermaninë ne kemi marrëdhënie  të shkëlqyeshme bilaterale. Nga viti 2022 krahasuar me vitin 2021 kemi rritje te eksporteve për Gjermani për 42% dhe rritje të investimeve gjermane për 60%. Këto janë sanksione të cilat po na dëmtojnë neve, po na dëmtojnë sa i përket marrëveshjes se Stabilizim Asocimit, po na dëmtojnë sa i përket kredive dhe granteve dhe po na dëmtojnë sa i përket takimeve të nivelit të lartë. Merreni me mend, ministrit tim Nenad Rashiq i është anuluar takimi në Bruksel. Ai është serb nga Kosova, ministër në qeverinë time për fushveprimtarinë e komuniteteve dhe kthimit. Por, ata nuk i kanë quajtur sanksione, por i kanë quajtur masa në mënyrë që mos të jenë të detyruar ti votojnë në Bashkimin Evropian. Po t’i hidhnin në votim, jam i bindur që shumica dërmuese  e shteteve nuk do të ishin për, por e kanë përdorur një metodë të konsensusit të heshtur me një email që është dërguar nga Brukseli dhe na i kanë vendosur masat.

Tavolina në Bruksel në këtë mënyrë është dëmtuar dhe dialogu është dëmtuar me këto masa dhe unë besojë që sa më parë që të hiqen ato është mirë edhe për Bashkimin Evropian  që prezanton vlera edhe për Kosovën që ka nevojë për zhvillim.

DW: Edhe njëherë çfarë ofroni për të hequr masat, sepse duhet një hap konkret nga ana e juaj?

Kurti: Unë kam bërë tre hapa konkretë. Së pari e kam zvogëluar praninë e policisë në ndërtesat komunale në veri për 25%, pastaj kam zvogëluar edhe për 25% të tjera, pra gradualisht dhe proporcionalisht me  largimin e ekstremistëve të dhunshëm ose me arrestimin e tyre, dhe gjithashtu kam bërë edhe hapin e rëndësishëm të udhëzimit administrativ i cili krijon mundësi për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, ashtu që atje të kemi kryetar të rinj brenda pak muajve duke e zbatuar kështu nenin 72 të  ligjit për vetëqeverisje lokale që thotë se së pari qytetarët me 25% të  trupit elektoral mund të bëjnë një peticion i cili qon në votim që më pastaj e përfundon mandati e këtyre 4 kryetarëve të komunave. Unë e di që legjitimiteti i tyre është i vakët sepse ka pasur dalje të ulët në zgjedhje, mirëpo, të tjerët nuk kanë legjitimitet fare.

DW: Por kjo duket nga jashtë si një zgjidhje që kërkon kohë. A nuk mendon që do të ishte më e lehtë dorëheqja e kryetarëve shqiptarë?

Kurti: Katër muaj i kemi shtyrë zgjedhjet në veri, pesë ditë e kemi shtyrë afatin për regjistrimin e partive politike që të marr pjesë lista serbe në zgjedhje. I  braktisën institucionet, i bojkotuan zgjedhjet me qëllim të keq, bën gabim, nuk do të duhej ne të paguajmë. Ata që gabojnë paguajnë, jo ata të cilët e kanë sundimin e ligjit, demokracinë vlerë fundamentale. Kosova sa i përket luftimit të korrupsionit, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe lirive civile, organizimit të zgjedhjeve, mbledhjes së taksave sipas FMN-së, dhe sa i përket lirisë së medieve është kampione në Ballkan. Pse, do të duhej ne të ndëshkoheshim për dashakeqësinë e listës Srpska e cila mbase edhe është penduar.

DW: A nuk jemi prapë tek blame-game, por, unë do të thoja çfarë u ofoni serbëve që ta fitojnë besimin tuaj?

Kurti: Së pari serbët në Kosovë që janë 4% e popullsisë, i kanë 10 vende të rezervuara në kuvendin e Kosovës të cilat nuk po i shfrytëzojnë, 17 % të këshilltarëve komunal nga 38 komuna janë serbë, 10 nga 38 komuna janë me shumicë serbe, gjuha serbe është zyrtare gjithandej në Kosovë. Pra ne kemi trajtim për pakicën serbe çfarë nuk ka askund në Evropë. Shihni çfarë ndodh me pakicën shqiptare në Serbi. Në Spitalin e Vranjes që mbulon edhe Preshevën, e Bujanovcin nga 70 punonjës asnjë nuk është shqiptar, as nuk ka Universitet në Bujanovc dhe ua pasivizojnë adresat që është një lloj spastrimi etnik  burokratik edhe i heshtur. Por ne nuk matemi me Serbinë, por ne matemi me standardet evropiane prandaj edhe duam të hyjmë në Këshillin e Evropës. Serbët e Kosovës do të kishin interes që të bëheshin anëtare të Këshillit të Evropës në mënyrë që ta shfrytëzojnë Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut, por, ja që Serbia votoi kundër. Pra, interesi i serbëve në Kosovë dhe interesi i Serbisë nuk përputhen.

DW: Për fat të keq integrimi i serbëve nuk është arritur deri më sot, dhe flitet që nëse nuk zgjidhet situata në veri, zgjidhja më e mirë do të ishte një protektorat ndërkombëtar për veriun, si e shihni ju këtë?

Kurti: Nacionalizmi i masave si lëndë djegëse për makinerinë e luftës së diktatorëve që ka ekzistuar para 30 vjetëve në Ballkan, nuk është më këtu në mesin tonë. Dhunën nuk janë duke e bërë qytetarët, dhunë janë duke e bërë struktura të caktuara të cilët imitojnë grupin Wagner. Dy organizata i kemi deklaruar terroriste, të ashtuquajturën Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut që kërcënojnë ministrat e mi dhe mua çdo javë, pra problemin e kemi me struktura të caktuara e jo me qytetarët. Serbët sot kanë nevojë që të mbrohen nga Serbia. Vetëm sivjet rreth 15 vetura të serbëve janë djegur për shkak se i kanë shndërruar targat në ato të Republikës së Kosovës.  Nga kush ti mbrojmë ata, ata duhet të mbrohen nga Beogradi. Kosova është shtet demokratik, ndërsa Serbia është shtet autokratik, Kosova është me BE-ne dhe NATO-on ndërsa Serbia është me Rusinë.

DW: Atëherë kërkoni më shumë mbështetje nga KFOR-i dhe strukturat evropiane për të luftuar kriminalitetin dhe agresionin dhe krimet të tilla?

Kurti: Kriminalitetin është duke e luftuar suksesshëm policia e Kosovës, 16 rrugë ilegale i kemi mbyllur në veri dhe një dyzinë laboratorësh të drogës dhe ato për kriptovalutave i kemi mbyllur. Janë arrestuar gjithsej në Kosovë mbi 3200 njerëz, prej tyre rreth 10% janë zyrtarë të institucioneve për korrupsion dhe për krim. Kurrë nuk është luftuar në Republikën e Kosovës krimi e korrupsioni më shumë sesa tani. Unë u ofroj të gjithë qytetarëve pa dallim ligjin, rendin, drejtësinë, e tani faktorët ndërkombëtar duhet të na ndihmojnë, sepse Serbia është me Rusinë. Nga shtatori i vitit 2021, po bëhen pra dy vjet që ne arkitekturën e sigurisë kemi filluar ta rimendojmë. Kur Aleksandër Herqenko, ambasadori rus në Beograd erdhi në pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe sipër tij ndodhej një aeroplan luftarak Mig-29, ndërkaq, poshtë inspektonin trupat e armatosura të Serbisë, kjo tregon që këtu s’ke të bësh vetëm me Serbinë. Sa për këto ekstremizmat e dhunshëm, milicinë fashiste të tyre, ata i tremben shumë policisë së Kosovës, prandaj edhe kërkojnë që policia e Kosovës të largohet nga veriu, mirëpo veriu është pjesë e Kosovës e pandashme, thelbi i  integritetit tonë territorial.

DW: Ju patët një takim edhe me deputetin gjerman Michael Roth, njëri nga nënshkruesit e letrës që kërkon nga BE-ja ta ndryshojë qasjen ndaj Serbisë rreth dialogut me Kosovën. Atëherë çfarë kërkoni ju nga bashkësia ndërkombëtare në lidhje me politikën ndaj Serbisë?

Kurti: BE-ja do të duhej që mos t’i tolerojë ata që nuk i kanë vendosur sanksione federatës ruse dhe në të njëjtën kohë do të duhej të kërkojë nga Serbia që ta njoh Kosovën, të mos e destabilizojë Bosnjën ëdhe t’i heq duart nga Mali i Zi. Beogradi në mënyrë rrotative ka politikë destablizuese në këto tri shtete, sepse është i pakënaqur me shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë që e ka shkaktuar vet. Jugosllavia edhe u krijua në fillim të shekullit 20 edhe u shkatërrua ë fund të shekullit XX për të njëjtin qëllim për Serbinë e madhe, tash janë të pakënaqur dhe kjo pakënaqësi e tyre nuk mund të paguhet nga boshnjakët, malazezët dhe shqiptarët apo kosovaret. Pra është e domosdoshme që BE-ja të ketë plan që sa më shpejtë ta  integrojë Ballkanin perëndimorë në familjen e madhe evropiane për ata që duan të integrohen. Në Serbi 1/3 duan të integrohen, të tjerët jo, prandaj ata të cilët pranojnë, përqafojnë vlerat evropiane do të duhej të shpërblehen e jo të ndëshkohen. Këto masa ndaj neve do të duhej të hiqeshin një  orë e më parë, ndërkaq, ndaj Serbisë do të duhej të vendoseshin sanksione prej tërheqjes së investimeve të vendeve anëtare të BE-së e deri te kthimi i regjimit të vizave, sepse, si e dini ata po ju japin shumë pasaporta  rusëve të cilët po shkojnë në Serbi.

DW: Çfarë do të presim të enjten pas takimit me Vuciçin në Bruksel? Cili do të jetë lajmi?

Kurti: Shpresojë që do të kthehemi në binarët e zbatimit të marrëveshjes bazike dhe kjo nënkupton një plan të sekuencuar të zbatimit të marrëveshjes. Gjashtë fjalitë e para të preambulës, 11 nenet dhe 12 pikat e aneksit të zbatimit nga Brukseli e nga Ohri do të duhej që të zbatoheshin sa më parë në plotni. Dhe çdo herë kur ka shkelje të marrëveshjes, referet Borrel dhe Lajçak, do të duhej të vërshëllenin për shkeljen që u bë, e jo sikurse me datë 24 prill kur Serbia në Këshillin e Evropës votoi kundër anëtarësimit të Kosovës dhe ndonëse kjo ishte shkelje e nenit 4 të marrëveshjes që kemi bërë, nga Brukseli nuk u dëgjua kurrfarë zëri as pëshpërimë, e jo më vërshëllime./DW

Kosova

Gabriel Escobar flet për Asociacionin, thotë janë të lidhura me Këshillin e Evropës

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, para largimit nga detyra, ka folur në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe kontestin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Escobar para gazetarëve ka sqaruar qartë pritshmëritë e SHBA-ve nga të dyja palët: Zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Ohër.
“U ra dakord që të gjitha elementet e asaj marrëveshjeje të zbatoheshin menjëherë, duke kërkuar nga Kosova të formojë Asociacionin, dhe nga Serbia që të mos i bllokojë rrugën Kosovës në organizatat euroatlantike dhe ndërkombëtare,” theksoi Escobar.

Ai shprehu zhgënjimin e tij që të dyja palët kanë dështuar në respektimin e këtij angazhimi, por mbetet optimist se rikthimi i marrëveshjes në rrugën e duhur do të kontribuojë në pajtimin dhe marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy shteteve.

Në lidhje me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe shqetësimet e ngritura rreth Asociacionit, Escobar u shpreh se SHBA-ja nuk ka të drejtë vote, por di se ka anëtarë të shqetësuar se disa prej kërkesave nuk janë përmbushur nga Kosova.

 

 

Ai përsëriti qëndrimin amerikan se Kosova duhet të jetë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, e NATO-s dhe e Kombeve të Bashkuara, dhe nënkuptoi rëndësinë e dëgjimit të partnerëve evropianë nga ana e Kosovës në këtë rrugëtim.

“Tani, është qëndrimi amerikan që Kosova duhet të jetë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, e NATO-s dhe e Kombeve të Bashkuara. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Por ndërkohë, në rrugën evropiane, mendoj se është e rëndësishme që Kosova të dëgjojë partnerët e saj evropianë dhe të punojë me partnerët e tyre evropianë, ndërsa ne forcojmë kandidaturën e Kosovës për të gjitha strukturat euroatlantike”, pohoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë në qendër të pyetjeve gjithashtu në lidhje me Asociacionin dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, duke e përjashtuar të parin si pjesë të rrugës së Kosovës për në këtë institucion.

Escobar theksoi se këto janë shumë të lidhura, duke iu referuar zotimeve të qarta të Kosovës për trajtimin e minoriteteve dhe përfshirjen e Asociacionit.

“Epo, shiko, mendoj se janë shumë të lidhur. Dua të them, njëra është se Këshilli i Evropës ka të bëjë me trajtimin e minoriteteve, dhe Kosova ka bërë zotime të qarta për trajtimin e minoriteteve, dhe kjo përfshin asociacionin. Tani, ky është një angazhim i kahershëm dhe është i shkruar në Planin e Ahtisaarit; është shkruar në Marrëveshjen e Brukselit; dhe Ohrit. Dhe kështu jemi – luftojmë të kuptojmë pse Kosova nuk e përmbush detyrimin e saj ligjor, dhe nuk e ka bërë dhe nuk ka sinjalizuar në shumë mënyra se është e përkushtuar ta bëjë këtë. Dhe shqetësimi është se pas anëtarësimit do të sjellë vetëm vonesa më të mëdha, dhe kjo është – ky është besimi i disave”, shtoi Escobar.

Ai shtoi se diplomatët perëndimorë që kanë qenë në kontakt me Prishtinën përfaqësojnë plotësisht politikën e qeverisë kombëtare dhe se Kosova duhet të punojë ngushtë me partnerët evropianë dhe amerikanë për të përmbushur detyrimet ligjore ekzistuese.

“Tani, sa i përket mosmarrëveshjes me disa diplomatë perëndimorë, të gjithë diplomatët me të cilët është takuar përfaqësojnë plotësisht politikën e qeverisë kombëtare. Pra, Kurti do të dëgjojë të njëjtin mesazh nga të gjitha nivelet e qeverisë amerikane, italiane, franceze, gjermane. Pra, nuk është në të vërtetë – ne jemi vetëm lajmëtarët e një politike kombëtare. Kështu që unë do ta inkurajoja Kosovën që të punojë ngushtë me partnerët e saj evropianë dhe amerikanë për të gjetur një mënyrë për të ecur përpara në një detyrim ligjor ekzistues që do të duhet të bëhet gjithsesi. Pra, sa më shpejt ta bëjmë atë së bashku, aq më efektivë mund të jemi në ngritjen e një rasti për integrimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe njohjet shtesë për Kosovën”, shprehet zyrtari amerikan.

Përfundimisht, Escobar e inkurajoi Kosovën të vepronte në mënyrë proaktive për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian dhe për të shtuar njohjet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

Continue Reading

Kosova

“Një rajon, vizion i përbashkët”/ Kurti reagon pas takimit të liderëve në Samitin në Mal të Zi

Postimi i plotë i Albin Kurtit:

Qyteti i vjetër e bregdetar i Kotorrit ishte pritës i takimit të radhës të liderëve të rajonit për të diskutuar mbi Planin e Rritjes, me pjesëmarrje të përfaqësuesve nga BE-ja dhe ShBA-ja. Këtë herë, nën sloganin: “Një rajon, vizion i përbashkët”.
Ky organizim ishte një mundësi e mirë për të nënvizuar rëndësinë që Plani i Rritjes së BE-së ka për rajonin dhe progresin që Kosova ka bërë drejt finalizimit të Agjendës së Reformave e cila përmban pesë fusha të politikave, me 32 reforma në 17 sektorë, por edhe platforma për të përçuar mesazhin e nevojës për fqinjësi të mirë dhe njohje de-jure e de-facto, si bazë për paqe, siguri dhe integrimin e rajonit.
Për të luftuar krimin financiar dhe parandaluar pastrimin e parave, theksova që rajoni duhet të bëhet pjesë e institucionit të ri të BE-së, “Anti-Money Laundering Authority” (AMLA), kërkesë kjo që u bë pjesë dhe e Deklaratës së Përbashkët të këtij takimi.
Sot u zotuam dhe për aprovimin e Planit të ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal në samitin e radhës të Procesit të Berlinit. Teksa ky proces shënon 10-vjetorin e themelimit, zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura është i domosdoshëm, përfshirë ajo për lëvizjen e lirë me letërnjoftim mes Kosovës dhe Bosnjës.
Falënderoj kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq, për mikpritjen në këtë ngjarje si dhe për takimin tonë të parë bilateral. Forcimi i urave të bashkëpunimit me Malin e Zi është përkushtim i ndërsjellë, edhe si shtete partnere në rrugëtimin e përbashkët drejt integrimit evropian.
Deklarata e Përbashkët e liderëve të BP6:
Continue Reading

Kosova

‘Propozimi juaj s’mjafton’/ Berlini, Parisi e Roma i kthejnë përgjigje Kurtit, ja kë draft përkrahin

Pas letrës së dërguar nga Qeveria drejtuar Këshillit të Evropës, për t’i hapur rrugë anëtarësimit në KiE, Kosovës i është kthyer përgjigje.

Në letër theksohet se “ekziston rrezik real që pa progres vendimtar të Asociacionit, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.

“Fatkeqësisht, hapat që ju propozoni nuk adresojnë nevojën urgjente për hapa vendimtarë drejt krijimit të Asociacionit dhe rrezikojnë të minojnë më tej Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Së pari, projekt-statuti i paraqitur nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është thjesht ‘propozim zotërinjsh’. Është një model solid, i hartuar me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë, bazuar në praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai merr plotësisht parasysh të gjitha vijat tuaja të kuqe si dhe kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Si e tillë, gëzon mbështetjen tonë të plotë. Le të theksojmë edhe një herë se nuk duam një Kosovë jofunksionale”, thuhet mes të tjerash.

“Fatkeqësisht, hapat që ju propozoni nuk adresojnë nevojën urgjente për hapa vendimtarë drejt krijimit të A/CSMM-së dhe rrezikojnë të minojnë më tej Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Së pari, projekt-statuti i paraqitur nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është thjesht një “propozim zotërinjsh”.

 

 

Është një model solid, i hartuar me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë, bazuar në praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai merr plotësisht parasysh të gjitha vijat tuaja të kuqe si dhe kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Si e tillë, ajo gëzon mbështetjen tonë të plotë. Le të theksojmë edhe një herë se ne nuk duam një Kosovë jofunksionale”, thuhet mes të tjerash.

A/CSMM nuk është në asnjë mënyrë e krahasueshme me Republikën Srpska. Së dyti, dorëzimi i këtij drafti tek ekspertët e Këshillit të Evropës nuk do të përbënte një hap të domosdoshëm vendimtar pasi opinioni i tyre nuk do të jetë ligjërisht i detyrueshëm. Kjo mund të arrihet vetëm duke e dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në mënyrë që të jetë e pranueshme për Gjykatën. Siç u sqarua me Brukselin, nuk ka pengesa ligjore në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për marrjen e këtij hapi.

Së treti, propozimi juaj për përgatitjen e një drafti të ri në konsultim me kryetarët apo zëvendësit aktualë të komunave nuk është as i përshtatshëm dhe as i zbatueshëm për shkak të rrethanave aktuale në këto komuna.

Z. Kryeministër, le të jemi të qartë: Ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar në A/CSMM, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare. Përparimi tani përgjatë linjave të sugjeruara nga Kuinti do të demonstronte përkushtimin tuaj ndaj të drejtave të pakicave, duke forcuar kështu pozitën e Kosovës dhe duke ri-energizuar Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Kjo është mënyra e vetme për të siguruar suksesin e aplikimit tuaj. Veprimet dhe vendimet tuaja në këtë moment kritik do të jenë vendimtare për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Topi është në fushën tuaj. Ne besojmë sinqerisht në udhëheqjen tuaj”, thuhet në këtë përgjigje.

Continue Reading

Kosova

Amerika “ultimatum” Vuçiçit/ Zyrtarja e lartë: Kujdes me Kosovën

Kosova ishte një nga temat qendrore të takimit mes zëvendesekretares amerikane të Shtetit për Çështje dhe Diplomaci Publike, Liz Allen në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic.

Në njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit u tha se ata biseduan për “çështjet globale” dhe për përparimin e Serbisë drejt integrimit në Bashkim Evropian, përfshirë përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Allen nënvizoi rëndësinë e përparimit të vazhdueshëm drejt normalizimit të marrëveshjeve me Kosovën përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, nënvizohet në njoftim.

Perënduimi vazhdon t`i kthehet thirrjeve për implementimin e marrëveshjes bazë të normnalizimit të marrëdhënieve dypalëshe, të arritur në 27 shkurt 2023 dhe Aneksit të zbatimit të saj, të vulosur 18 marsin e vitit të kaluar në Ohër. Edhe pse të pafirmosura, BE-ja i konsideron ujditë ligjërisht të detyrueshme, por palët nuk janë duke i zbatuar ato.

Në lidhje me planin 6 miliardë eurosh që iu referua Allen, BE-ja e ka bërë të qartë se për Kosovën dhe Serbinë, kushti për të përfituar nga kjo paketë është angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore. Vucic nga ana e tij, i kërkoi Allenit që SHBA-ja ta rrisë angazhimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ta përdorë, sic tha ai, ndikimin e saj për të ruajtur stabilitetin e rajonit dhe për të krijuar mundësitë e një bashkëpunimi të sinqertë dhe përparim konkret.

Continue Reading

Kosova

Scholz i tregon derën Vuçeviç-it dhe vendos kushte për Serbinë

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se shteti që ai udhëheqë është i gatshëm që ta mbështesë Serbinë, derisa kjo e fundit vazhdon rrugëtimin për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Këto komente, Scholz i ka bërë përmes një letre që ia ka dërguar kryeministrit të ri serb, Millosh Vuçeviç, i cili mori këtë pozitë vetëm para disa ditëve.

Në këtë letër, kancelari gjerman, Vuçeviç-it i ka uruar “suksese në dhe fat të mirë për sfidat që kemi përpara”.

“Gjermania është e gatshme t’ju mbështesë në të ardhmen ndërsa vazhdoni rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, ka shkruar Scholz.

Përveç këtyre, ai ka potencuar se Serbia e ka mundësinë që të bëjë progres të mëtejmë në rrugën e reformave, veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit.

Ndryshe, Millosh Vuçeviç është zgjedhur së fundmi Kryeministër i Serbisë. Ai, po ashtu, është edhe kryetar i Partisë Progresive Serbe (SNS) – partia e Aleksandër Vuçiç-it.

Në pozitën e kreut të ekzekutivit serb, Vuçeviç ka ardhur pas fitores së SNS-së në zgjedhjet e kontestuara të 17 dhjetorit.

Politika e tij – posaçërisht me Kosovën – është e ngjashme me atë të paraardhësve të tij: mosnjohje e realitetit. Ai konsiderohet si njëri tejet i besuar i Vuçiç-it, andaj edhe përzgjedhja e tij si kryeministër nuk është e rastësishme.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING