Connect with us

Kosova

Akuzat e Kurtit ndaj Lajçak/ Reagon BE-ja: Pretendime të pabaza

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka quajtur pretendime të pabaza akuzat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të dërguarin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, kur ka thënë se ai është i njëanshëm.

Stano në një konferencë për media në Bruksel ka thënë se nuk i komenton pretendimet e tilla.

Ai foli edhe për deklaratën e BE-së të lëshuar sot, përmes së cilës 27 vendet e BE-së po i kërkojnë në mënyrë eksplicite Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë me zbatimin e obligimeve të tyre pa vonesa të mëtejshme. Sipas tij, kjo deklaratë shpreh mbështetjen e plotë për përfaqësuesin e Lartë dhe përfaqësuesin Special të BE-së.

“Para së gjithash, sa i përket komenteve të z. Kurti, ne nuk komentojmë komente, veçanërisht nëse ato përmbajnë pretendime të pabaza. Mendoj se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ishin shumë të qarta në mënyrë të përsëritur se mbështesin plotësisht përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslaë Lajçak, si dhe përfaqësuesin e Lartë në rolin e tij si lehtësues i dialogut Beograd-Prishtinë, dhe i mbështesin plotësisht ata në përpjekjet e tyre për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që më në fund të arrijnë në një fazë kur do të jenë në gjendje të normalizojnë marrëdhëniet e tyre. Kjo është shprehur më së fundi në deklaratën e 27 vendeve të BE-së, që do të thotë deklaratë e dakorduar në mënyrë eksplicite nga ministrat e jashtëm të 27 shteteve anëtare, dhe kjo deklaratë që përmendët dhe që e keni parë, është saktësisht përmbledhje e pritjeve të Bashkimit Evropian, domethënë çka 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, (presin) nga të dyja palët, nga Kosova dhe Serbia, sa i përket mënyrës se si të vazhdohet me dialogun”, ka thënë Stano.

Dhe pyetja e dytë ka të bëjë me deklaratën e mbrëmshme të përfaqësuesit të lartë në emër të Bashkimit Evropian, ai kërkoi nga të dyja palët që të fillojnë zbatimin në bazë të propozimit të BE-së, të njëjtit propozim që Kosova e refuzoi, dhe a bie ky propozim në vetvete në kundërshtim me marrëveshjen apo kundër aneksit, pasi aneksi thotë qartë se të gjitha nenet e marrëveshjes duhet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri dhe se rendi në letër nuk pasqyron ose paragjykon rendin e zbatimit.

Ai është përgjigjur edhe për atë nëse propozimi i BE-së, (i cili kërkon që së pari Kosova të fillojë zbatimin e disa neneve të cilat Kosova i sheh si prioritet për Serbinë, jo për vetën), është në kundërshtim me marrëveshjen bazë dhe aneksin e saj.

Duke folur për këtë, ai ka kritikuar në njëfarë forme kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për bërjen publike të asaj që ndodhi në takimin e 14 shtatorit në Bruksel, duke thënë se “deklarata e BE-së u kujton palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit, parimin e konfidencialitetit në dialog, që do të thotë të mos i kryejnë negociatat në publik”.

“Edhe kjo trajtohet në deklaratën e 27 shteteve anëtare të BE-së, ku u kujtojnë palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit, parimin e konfidencialitetit në dialog, që do të thotë të mos i kryejnë negociatat në publik por duke iu përmbajtur parimit të konfidencialitetit të këtij procesi, sepse ky është një komponent kyç në një proces kaq të ndjeshëm dhe të rëndësishëm negociues. Pra, kjo është një pritje shumë e qartë e formuluar e Bashkimit Evropian nga të dyja palët, se si Bashkimi Evropian pret që ata të sillen dhe të veprojnë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, që në fund po i ndihmon Kosovës dhe Serbisë për të arritur aspiratat e tyre evropiane”, tha ai.

Ndryshe, në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen bazike në Bruksel dhe më vonë për Aneksin e zbatimit të saj, në Ohër.

Por raundi i fundit i dialogut në Bruksel, i zhvilluar më 14 shtator, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Pas këtij takimi, përfaqësuesit e BE-së deklaruan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm për të çuar procesin përpara ndërsa ky i fundit tha se kishte paraqitur një plan tw sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes por që i njëjti është refuzuar nga Serbia dhe evropianët.

Kurti gjithashtu akuzoi emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, për pozicionim kundër Kosovës.

Advertisement