Kosova
Lajçak “injoron” Kurtin: Do t’i vazhdojmë diskutimet me Osmanin
Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka pasur “bisedë të detajuar dhe të dobishme” me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në lidhje me ecurinë e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e BE-së.
Lajçak, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, ka njoftuar se me presidenten Osmani kanë rënë dakord që t’i vazhdojnë diskutimet për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, ndonëse ka marrë një dyzinë kritikash nga Qeveria e Kosovës, e cila për dështimin e raundit të ri të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin BE-së përgjegjësinë ia ka faturuar diplomatit sllovak, i cili, sipas Ministres Donika Gervalla, javën e fundit e ka “mbushur kupën” me pocizionimin e tij në favor të Serbisë e kundër Kosovës.
E për këtë është i bindur edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti, i cili, në një konferencë për media në Prishtinë, ka flirtuar me teorinë e konspiracionit dhe komplotit. Ai ka thënë se ekziston një skenar, i hartuar nga diplomati sllovak dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të dëmtuar të ardhmen e Kosovës në procesin e mëtejmë të dialogut.
Presidentja Osmani ndërkohë ka filluar të marrë një rol më aktiv në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, posaçërisht në një kohë kur marrëdhëniet mes Qeverisë së Kosovës dhe pjesës tjetër të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare janë në gradën e fundit për shkak të degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik.