Bota
Diplomatët e Europës, idiotë të vlefshëm/ Shtypi gjerman mbi Kosovën
Kërkimet për sfondin e shkallëzimit të rrezikshëm të situatës në veri të Kosovës vazhdojnë, ndërkohë zhvillimet e fundit në rajon janë vendosur në fokus të mediave gjermane.
Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” analizon gjakderdhjen në veri të Kosovës në një analizë të Michael Martens me titull “Vuçic hedh poshtë pjesëmarrjen e Serbisë në trazira”.
Në artikull shkruhet se “Versioni i Vuçiqit, që shteti serb nuk ka të bëjë asgjë me trazirat bie ndesh me faktin që autorët ishin të armatosur rëndë dhe të mirëorganizuar. Që kjo po i bëhet gjithnjë e më e qartë edhe botës jashtë, duket në prononcimin e të ngarkuarit të BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, që bëri të ditur në platformën X, se BE e dënon ashpërsisht “sulmin e neveritshëm kundër efektivëve të policisë”
Kurse gazeta “taz” nën titullin “Problematiku quhet Vuçic” boton një koment të Erich Rathfelder për shkallëzimin e situatës në Kosovë, në të cilin theksohet, se “Serbia edhe njëherë po ashpërson gjendjen në Ballkan, vecanrisht në Kosovë.
“Njeriu problematik i vërtetë quhet Aleksandër Vuçiq dhe është presidenti serb. Ai ndjek pa mëshirë qëllimet e veta, pa gatishmëri për kompromis. Për të do të thotë dobësi pranimi i kompromisit. Ai nuk do të kuptojë, se po dështon strategjia e tij, të arrijë të ketë Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë por të mos e njohë Kosovën.[…]Vuçiq di të ushtrojë durim dhe i shikon diplomatët e Europës si idiotë të vlefshëm, që mund t’i mbajë varur deri sa të jetë vendosur fundi i luftes ne Ukrainë. Fiton Rusia, fiton edhe ai në Kosovë.”