Kronike
Dëshmitë e të penduarit: Pse u bind Tafani të tregonte vrasjet dhe arsyeja pse Laert Haxhiu nuk i ekzekutoi prokuroret
Në emisionin “Në Shënjestër” u diskutua për dëshmitë e forta të të penduarit të drejtësisë Artan Tafani. Tafani zbuloi disa nga vrasjet e bujshme, që sipas tij ishin urdhëruar nga ai që njihet si kreu i bandës së Lushnjes, Laert Haxhiu. Lidhur me dëshminë e Tafanit i cili tha se Haxhiu kishte planifikuar vrasjen e dy prokuroreve, gazetari Eni Ferhati u shpreh se arsyeja se përse mund të mos jenë kryer, lidhet me faktin se kreu i bandës së Lushjes nuk ka dashur të rëndojë me shumë pozitën e tij. “Ai është tërhequr vetëm për shkakun që nëse do t’i hynte dhe kësaj loje, pra të ngrinte dorën ndaj dy prokuroreve, do t’i hynte një tjetër valleje, dhe ekstradimi i tij nga Greqia do të ishte formalitet. Vrasja e Xhaferrajt tregon më shumë për personalitetit e Haxhiut. Fakti që ka ekzekutuar në mënyrë makabre kushëririn e tij, ka dashur të përçojë dhe një mesazh brenda grupit të tij, duke u lënë të kuptohet se nëse ‘mendoni të më shisni, do keni të njëjtin fat’”, tha Eni Ferhati. Ndërkohë gazetarja Glidona Daci tha se arsyet që mund të kenë shtyrë Tafanin të dëshmojë, janë frika që ai kishte nga Haxhiu, dhe vendosja përballë fakteve nga Prokuroria. “Përpos frikës nga Laerti, Tafani u vu para fakteve nga prokurorët, dhe u ndje i presionuar, por iu ofrua dhe mbrojtja, në mënyrë që te rrëfente krimet. Kanë qenë dy arsyet që e kanë çuar të rrëfejë”, tha Daci.