Kosova
Veriu, Turqia merr komandën/ Bloomberg: Erdogan parandalon përshkallëzimin
Më 10 tetor Turqia do të marrë komandën e Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, në një kohë kur tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë të larta pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Komunës së Zveçanit.
Per kete, mediumi kanadez, BNN Bloomberg, raporton se Ankaraja zyrtare e sheh raportin personal të presidentit, Recep Tayyip Erdogan me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, si potencialisht vendimtar në parandalimin e një përshkallëzimi eventual të situatës pas ngjarjen në Manastirin e Banjskes.
Turqia, sipas këtij mediumi, planifikon t’i kërkojë Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet që mund të dëmtojnë përpjekjet disa vjeçare për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve.
Një grup i armatosur më 24 shtator, ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.
Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas, teksa vendet perëndimore, e kanë dënuar këtë sulm, si edhe kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.