Kosova
‘Gur i keq për demokracinë…’/ Gashi: Sjellja e Kurtit, shkelje e Kushtetutës
Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka reaguar pasi kryeministri i vendit, Albin Kurti nuk iu është përgjigjur pyetjeve të opozitës, pasi këta të fundit nuk po i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.
Gashi tha se veprimet e Kurtit janë shkelje e Kushtetutës. Sipas tij, sjellja e sotme e qeverisë është “gur i keq” për demokracinë e vendit.
“Sjellja e sotme e qeverisë është momentum i ri dhe një gur i keq për demokracinë në Kosovë”, ka thënë ai.
I pyetur nëse do të marr pjesë në seancat tjera, Gashi tha se deputetët do të jenë aty ku e kanë vendin, porse kjo e sotit ishte për shkak të sjelljes arrogante të qeverisë. Gashi ka ritheksuar sërish që qeveria nuk i ka numrat të qeverisë, dhe sa më parë duhet të gjejë një zgjidhje për këtë.
Mes tjerash, Gashi tha se është çështje e qeverisë nëse e zgjerojnë koalicionin për të gjetur zgjidhje nëse duan të qeverisin. Ai ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit Kurti kur pati thënë se nëse vendi shkon në zgjidhje, zhduket opozita.
Sot gjatë seancës, kryeministri Albin Kurti ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet parlamentare të deputetëve të opozitës. Kurti i ka thënë opozitës, që nëse duan përgjigje nga ai, duhet t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë duke u bartur nga seanca në seancë.