Kosova
Lajçak kërkon heqjen e sanksioneve, Stano: S’ka ndodhur deeskalimi
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bëri me dije se nuk është pro masave të vendosura kundër Kosovës dhe u shpreh se heqja e tyre është e mundshme dhe se e mbështet personalisht. Por, ky qëndrim duket se nuk është edhe i BE-së. Edhe pse e mundshme sipas Lajçakut, Bashkimi Europian ka përsëritur qëndrimin se masat hiqen kur tensionet bien, përkundër rrethanave të reja që u krijuan nga sulmi terrorist në Banjskë. Pa konfirmuar nëse është përgatitur ndonjë paketë masash ndaj Serbisë për sulmin në veri të Kosovës, Stano tha se Kosova duhet të zbatojë kërkesat e BE-së për t’u hequr masat. “Në këtë fazë ne duam të shohim, së pari hapa drejt një deeskalimi kuptimplotë; rikthimi në dialog; dhe sa i përket ngjarjeve të 24 shtatorit një hetim të plotë dhe përfundimtar”, theksoi Stano. Po ashtu, ai tha se Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në tavolinën e dialogut me BE-në si lehtësuese, për të cilën tha se është ndërmjetëse e ndershme. Kundër masave të BE-së ndaj Kosovës ka folur dje edhe presidenti i një shteti anëtar – Zoran Milanoviç i Kroacisë gjatë një takimi me presidenten e Kosoves, Vjosa Osmani. Ai madje ftoi edhe shtetet e tjera anëtare që të kërkojnë heqjen e masave dhe bëri drejtperdrejt fajtor për ato, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, duke e akuzuar se masat ndaj Kosoves, i ka vendosur ai me ekipin e tij dhe jo Këshilli i Ministrave. “Shpresoj që Borrell së shpejti të dale në pension” – Deklaroi presidenti kroat.