Connect with us

Aktualitet

Fatos Lubonja: Flamur izraelit në mes të Tiranës, shëmti dhe servilizëm. Ne jemi vend mysliman

Fatos Lubonja thotë se flamuri izraelit që u shfaq në mes të Tiranës, është një shëmti dhe servilizëm. Ai thotë se ne jemi një vend mysliman. “Pashë atë flamurin izraelit që ishte vënë në qendër të Tiranës, nën stilin e Edi Ramës, që më shumë ngjan si servilizëm se sa si solidaritet. Ne jemi një vend me shumicë myslimane, që kemi raporte edhe me Turqinë, që janë më të kujdesshëm ndaj kësaj çështjeje. Nëse ju kujtohet kur ishte çështja e zhvendosjes së Ambasadës në Jerusalem, Shqipëria nuk pranoi duke qëndruar në aleancë me Erdoganin në atë kohë. Patjetër që duhet të ketë solidaritet dhe akti duhet dënuar, por nuk zgjidhen kështu problemet, me një servilizëm që të tjetër nuk e bëjnë” – tha Lubonja. Dhe edhe në këtë rast, Lubonja do të përmend patjetër edhe Edi Ramën, që sipas tij bëhet gjithmonë me më të fortët. “Rama ka kujdes që të solidarizohet më shumë me ata që e mbështesin për të qëndruar në pushtet, me Perëndimin, me të fuqishmit sesa solidaritet me të dobëtit dhe ata që kërcënohen. Këtu është edhe diferenca. Ai e bën këtë akt për t’u dukur tek perëndimorët: po mban Shqipëria një qëndrim të tillë. Nuk shprehu solidaritet me Kurtin sepse siç dihet që kur ndodhi ajo çështja e futjes së krerëve të komunave dhe Perëndimi arriti derisa të sanksionojë Kurtin, Rama ishte në solidaritet me ata dhe jo me Kosovën. Ai bën llogaritë për pushtetin sepse shqiptarët i ka nën këmbë pasi i ka blerë të gjithë dhe se më duhet mbështetja e Perëndimit që të jem i sigurt fare. Edhe shqiptarët presin nga Perëndimi që t’i shpëtojnë ndaj ai e di dhe rregullon politikat e tij me Perëndimin. Kështu ai manipulon ndërkombëtarët për të sunduar shqiptarët”– thotë Lubonja.

Advertisement