Shkrime
Le Monde: Në Banjskë, aty ku dështoi një Krime e dytë
Nga Jean-Baptiste Chastand
Banjska është rikthyer sërisht në letargjinë e saj të dikurshme. Vetëm vrimat e plumbave mbi disa dritare dhe portat e thyera të manastirit ortodoks të ngritur mbi këtë fshat modest në veri të Kosovës, ruajnë ende gjurmët e përplasjeve të dhunshme që shpërthyen më 24 shtator, prej një komandoje serbësh të armatosur rëndë. Që pas ngjarjes, rreth 40.000 serbët që banojnë në veri të këtij vendi ballkanik, me shumicë shqiptare, ndodhen nën presion. Të gjithë kanë frikë nga një rikthim i luftës, njëzet vjet pas asaj të vitit 1999, që çoi në pavarësinë e Kosovës. E mbiarmatosur, e veshur me uniforma pa shenja dhe e paisur me mbi tridhjetë automjete, disa prej të cilave të shenjuar me logo të rreme të KFOR-it, komandot serbe dolën në rrugët e fshatit në natën midis datave 23 dhe 24 shtator. Operacioni filloi në orën 2:34 të mëngjesit. Pikërisht në atë orë, një patrullë policore e Kosovës, që vajti për të inspektuar dy kamionë, të instaluar për të bllokuar urën e vogël, e cila gjendet në hyrjen e fshatit, u godit nga shpërthimi i një mine të komanduar në distancë. Njëri nga tre policët, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos. Njësiti i armatosur serb u përball për orë të tëra me forcat speciale kosovare të dërguara nga Prishtina, për t’u tërhequr pastaj brenda në manastir, ku gjendej edhe një grup pelegrinësh dhe për tu larguar në fund përmes pyllit, që të çon drejt Serbisë. Bilanci i asaj dite, më e dhunshmja e dekadës së fundit në Kosovë ishte tre terroristë të vrarë, tre të tjerë të arrestuar dhe dhjetëra në arrati. Mes këtyre të fundit gjendej edhe lideri i grupit terrorist, i cili u identifikua shpejt, përmes imazheve të filmuara me dron: bëhej fjalë për Milan Radoiçiçin, një lider i fuqishëm politik lokal serb, i njohur prej kohësh për lidhjet me krimin e organizuar. Pesë ditë më vonë, në Beograd, personi në fjalë e pranoi pjesëmarrjen e tij në ngjarjet e dhunshme dhe njoftoi, përmes avokatit të tij, se e ndërmori këtë aksion “personalisht” dhe “pa informuar qeverinë serbe”. Në deklaratën e tij, ai deklaroi se e drejtoi atë komando për të “inkurajuar popullin serb ne veri, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe që të “krijonte kushtet e nevojshme për realizimin e ëndrrës së lirisë”, të pakicës prej 100.000 serbësh në Kosovë, të cilët refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës pasi e konsiderojnë atë si djepine kombit serb dhe prej pesëmbëdhjetë vjetësh ata kanë ëndërruar të kthehen në gjirin e Beogradit. Gjithsesi, version i ngjarjeve I paraqitur nga Radojicic është vënë në dyshim serioz nga shumë elementë shqetësues që kanë nxjerrë në dritë gjetjet e hetuesve kosovarë. “Nuk ishte një grup qytetarësh të pakënaqur të cilët organizuan një sulm. Ishte qartësisht një ofensivë paraushtarake nga Serbia. Një grup “burrash të të veshur me të gjelbër” që synonin aneksimin e veriut të Kosovës, sipas stilit të Krimesë, kryer nga Vladimir Putin” – ka thënë për ‘Le Monde’ presidentja Vjosa Osmani, duke hequr një paralele me operacionin rus të kryer nga ushtarë pa shenja dalluese në gadishullin ukrainas, në vitin 2014. “Objektivi i tyre kryesor ishte të pushtonin territorin në Veri, për të provuar ta ndanin këtë rajonin nga pjesa tjetër e Kosovës” – thotë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. “Ne gjetëm harta të cilat tregojnë se duhet të ketë pasur tre fusha operimi me më shumë se 200 persona të përfshirë” – siguron ministri, duke vlerësuar se kontrolli i rastësishëm i policisë në mes të natës, bëri që operacioni të dështonte, duke e shkaktuar përplasjen më shpejt se sa ishte planifikuar. Videot me dron të publikuara nga Prishtina tregojnë në fakt njerëz të armatosur rëndë, të gatshëm për të luftuar, pasi u trajnuan për ditë të tëra në baza ushtarake brenda në territorin serb. Në automjetet e braktisura pranë manastirit, autoritetet e Kosovës kapën një arsenal të vertetë lufte: më shumë se 40 raketahedhës antitank, afro 200 granatahedhës, dhjetëra pushkë automatike, mina, 80.000 fishekë. Autoritetet e Beogradit që vazhdojnë të pretendojnë se nuk kanë lidhje me sulmin, këmbëngulin se Milan Radoiçiç mund ta ketë marrë këtë arsenal në “tregun e zi” në Tuzla të Bosnie-Herzégovines. “Është e lehtë të gjesh armë” në Ballkan, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në një nga intervistat e rralla të dhëna për këtë ngjarje. Sipas tij, Radoiçic kishte kryer «një shkelje të madhe penale”. Megjithatë, lideri serb e njeh mirë kreun e komandove, i cili është nënkryetar i Listës Srpska, partia kryesore e serbëve të Kosovës, e lidhur me drejtpërdrejt me partinë Progresive te Vuçic. “Ai ishte aleati im, por jo miku im”, u shpreh Vuçiq në televizionin britanik Sky News, pasi kishte ndryshuar disa herë version për këtë gjë gjatë ditëve të fundit. 45 vjeç, me flokë të prera shkurt dhe me pak mjekër, Radoiçiç është një burrë që qëndron në hije, dhe që ka ruajtur për një kohë të gjatë një reputation kontrovers në veri të Kosovës. Zyrtarisht shef kompanish ndërtimi dhe hotelesh, ai u ndëshkua, në fund të vitit 2021, nga sanksionet e SHBA për përfshirje në «korrupsionin» endemik në veri të qytetit të Mitrovicës. Kjo është një zonë ku lulëzojnë trafikantët, duke përfituar nga vakumi ligjor i krijuar nga konfliktet e sovranitetit midis Beogradit dhe Prishtinës. Radoiçiç akuzohet gjithashtu se ka pasur gisht në vrasjen e Oliver Ivanoviç, një kundërshtar i Vuçiç, që u qëllua për vdekje në vitin 2018, pasi denoncoi rolin e mafias për dominimin e minoritetit serb. Prishtina zyrtare transmoi gjerësisht në media imazhet e vilës luksoze të Radoiçiçit buzë një liqeni. Me pishinë, bilardo dhe tarracë madhështore, ajo binte në kontrast me varfërinë përreth. «Është e qartë se nuk këmi të bëjmë me një “luftëtar lirie” por me një Pablo Escobar» – ironizoi Ministri I Brendshem Xhelal Sveçla. Pasi u paraqit vetë pranë policisë serbe, Radoiçiq u akuzua për krim kundër sigurisë publike. Megjithatë, Beogradi ka njoftuar se do të refuzojë ekstradimin et tij në Prishtinë, në perputhje me politikën e tij të mosnjohjes së sistemit gjyqësor kosovar. Kreu i komandove zgjodhi si avokat të tij një njeri të njohur në të gjithë Ballkanin për nacionalizmin dhe afërsinë me Moskën: Goran Petronijeviçin, ish-mbrojtësin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiç. Aleksandër Vucic, i cili prétendon se dëshiron të anëtarësohet në BE, pa prishur lidhjet et tij historike me Moskën, preferon të luajë kartën nationaliste. Ndërsa ka dënuar vrasjen policit shqiptar, autoritetet e Beogradit i kanë shpallur heronj tre sulmuesit që u vranë nga forcat special në Banjksë. Në Mitrovicën e Veriut, njoftimet e ngjitura në muret e qytetit kujtojnë burrat që «vdiqën me shumë trimëri, duke luftuar për atdheun e vet”…