Kosova
Ekskluzive/ Asociacioni si i FES’it, Kurti e Vuçiç bien dakord
NTV.AL nga burimet e saj ka mësuar se Pesëshja e emisarëve nga Bashkimi Europian, Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është ndarë e kënaqur nga takimi me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Kujtojmë se të shtunën pesë emisarët kanë sjellë me vete një draft -statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Kjo është konfirmuar të martën edhe nga zëdhënësi i Unionit Europian në Bruksel, Peter Stano i cili ka thënë se bëhet fjalë për një “propozim modern për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Gjithashtu mësohet se draftin tashmë e kanë në duar të dyja palët. Blloku Europian ka ftuar Kryeministrin Kurti dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç për takim më 26 tetor në Bruksel, kur pritet të mbahet Samiti i BE. Pritjet, sipas burimeve, janë që të arrihet njëfarë dakordësie në Bruksel për Asociacionin. Merr vesh se drafti i dorëzuar nga Pesëshja është i ngjashëm diku rreth 70 përqind me propozimin e Institutit Friedrich-Ebert-Stiftung” dhe “Institutit Evropian për Paqe” që u propozua në fillim të janarit të këtij viti. Sipas draft-statusi të FES, Asociacioni do të formohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ai ka 7 kapituj me gjithsej 18 nene. Sipas draftit, Asociacioni do të jetë si person juridik i themeluar në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës. Nga burimet gjithashtu theksohet se Asociacioni/Bashkësia do të ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverisje Lokale. Eshtë raportuar se Kryeministri Albin Kurti ka reaguar me tone pozitive pas takimit me pesëshen në Prishtinë duke i falënderuar ata për planin e ri, në mënyrë që të ecet përpara me zbatimin. NTV.AL sjell disa nga pikat e propozuara në draft.
Pika 1 – Statuti i asociacionit do të miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të marrë fuqinë e rregullimit qeveritar sipas sistemit juridik të Kosovës pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.
Pika 2 – Asociacioni/Bashkësia nuk do të cenojë apo anashkalojë autoritetin dhe kompetencat e parashikuara me kushtetutë dhe në asnjë mënyrë nuk do të zëvendësojë apo cenojë marrëdhëniet e parashikuara me kushtetutë dhe ato ligjore.
Pika 3 – Asociacioni promovon, shpërndan dhe mbron çështje me interes të përbashkët të anëtarëve të saj dhe i përfaqëson ata, duke përfshirë edhe tek autoritetet qendrore.
Pika 4 – Asociacioni/Bashkësia do të angazhohet me autoritetet qendrore të Kosovës, në frymën e promovimin e demokracisë dhe multietnicitetit, dhe në përputhje me sistemin ligjor të Kosovës
Pika 5 – Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë të inicojë apo të marrë pjesë në procedurat para gjykatave kompetente në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse të Kosovës.