Kosova
Tradhtia, qershia mbi tortë e Vuçiç/ Opinioni i Trajkoviç
Kryetari i Forumit Kombëtar Serb, Momçilo Trajkoviç, ka thënë se politika dhjetëvjeçare e Aleksandër Vuçiçit ndaj Kosovës, siç tha ai, do të kurorëzohet me një tradhti të lartë ndaj interesave kombëtare.
Në një intervistë për agjencinë Beta, ai tha se me njohjen e paralajmëruar të dokumenteve të Kosovës, Beogradi do ta njohë edhe de fakto edhe de jure pavarësinë e Kosovës.
“Në mënyrë antikushtetuese dhe pa u konsultuar me asnjë institucion shtetëror apo kombëtar, në dhjetë vitet e kaluara, Vuçiç i ka dorëzuar Prishtinës të gjithë elementet e shtetësisë serbe në Kosovë dhe ky do të jetë akti përfundimtar i tradhtisë së lartë të interesave kombëtare serbe” – deklaroi Trajkoviç.
Duke komentuar faktin se presidenti serb ka deklaruar se ai kurrë nuk do ta nënshkruajë pavarësinë dhe nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, Trajkoviç tha se janë Kina dhe Rusia ato që vendosin për Kosovën në OKB, jo Serbia.
Trajkoviç kujtoi se Presidenti i Serbisë, u zotua me Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit që të mos pengojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe për shkak të vendimeve të tij, ai beson se do të ndryshojnë qëndrimet e pesë vendeve të Bashkimit Evropian që aktualisht nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Ai nuk do ta nënshkruajë pavarësinë e Kosovës, por do ta njohë. Për momentin, Kina dhe Rusia kundërshtojnë pranimin e Kosovës në OKB, megjithatë Vuçic nuk e përmend anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Nëse Kosova pranohet në UNESCO, Vuçic qartë nuk është kundër që të gjitha manastiret dhe kishat ortodokse serbe do të marrin statusin e trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës dhe Serbia nuk do të ketë më ndikim në mbrojtjen dhe ruajtjen e tempujve më të rëndësishëm kulturorë dhe historikë serbë” – theksoi Momçilo Trajkoviç
I pyetur se çfarë pasojash do të ketë politika e Vuçiçit për popullin serb që jeton në Kosovë, Trajkoviç tha se emigracioni ka vite që po vazhdon dhe se Lista Serbe po bën shqiptarizimin e komunave serbe në jug të Ibrit.
“Pjesa më e madhe e parave që ndahen për Kosovën nga buxheti i Republikës së Serbisë, që janë rreth 900 milionë euro në vit, përfundojnë tek anëtarët e Listës Serbe të cilët marrin nga disa paga secili dhe me ato para blejnë prona në Serbinë qendrore. Serbët që nuk e përkrahin politikën e Vuçiçit, kërcënohen dhe janë nën presion nga Lista Serbe” – tha Trajkoviç, duke shtuar se në dhjetë vitet e fundit, rreth 40.000 serbë janë larguar nga Kosova.
“Lista Serbe po bën shqiptarizimin e komunave serbe në Kosovën Qendrore. Lista lejoi që komunat serbe, të cilat edhe Marti Ahtisaari i mbrojti nga ndikimi shqiptar me vendime kushtetuese, të banohen gjithnjë e më shumë me shqiptarë dhe kështu të mbeten gjithnjë e më pak serbe” – kujtoi Kryetari i Forumit Kombëtar Serb
I pyetur se sa i rëndësishëm do të jetë për serbët në Kosovë formimi i Asociacionit, Trajkoviç tha se edhe nëse formohet, Asociacioni do të jetë nën kontrollin e Kosovës.
“Kur të formohet Asociacioni brenda sistemit të Kosovës, ky do të jetë fundi i shtetit serb në Kosovë. Serbisë do t’i lejohet të financojë vetëm shëndetësinë dhe arsimin në zonat serbe dhe për shkak të procesit të shqiptarizimit do të ndodhë që Asociacioni do të përbëhet vetëm nga komunat në Veri të Kosovës” – beson Trajkovic
I pyetur se si do të ndikojë ndryshimi i qeverisë në Serbi në zgjedhjet e 17 dhjetorit në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ai u shpreh se as opozita nuk ka strategji për Kosovën.
Duke komentuar qëndrimin e Beogradit ndaj Kosovës në dekadat e fundit, Trajkoviç tha se “efekti” i secilës qeveri mund të vlerësohet si tradhti.
“Politika komuniste pas Luftës së Dytë Botërore nuk mundi dhe as donte të zgjidhte çështjen kombëtare serbe. Politika e Milloshevicit ishte e gabuar dhe përfundoi. Po ashtu edhe politika e Aleksandër Vuçicit është shembull klasik i tradhtisë së lartë ndaj interesave kombëtare dhe shtetërore” – Theksoi Kryetari i Forumit Kombëtar Serb, Momçilo Trajkoviç