Kronike
Sekuestrohen armë dhe drogë, procedohet motra e të arrestuarit
Durrës
Sekuestrohen armë zjarri, municion luftarak, drogë dhe sende që shërbenin për ndarjen e drogës, në doza, me qëllim shitjen.
Poseduesi i sendeve të kundërligjshme, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve, për plagosje të rëndë dhe për dhunë në familje.
Ky shtetas është arrestuar nga Policia e Durresit, më datë 22 tetor, për marrëdhënie seksuale me të mitura.
Specialistët e strukturave hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe ata të Komisariatit të Policisë Durrës, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas i arrestuar më parë nga Policia e Durrësit, kishte fshehur në një banesë tjetër, armë, municion luftarak dhe drogë, organizuan punën për lokalizimin e kësaj banese dhe për kontrollimin e saj.
Shërbimet e Policisë kryen kontroll në banesën e motrës së shtetasit A. Ll. (të arrestuar më parë, për marrëdhënie seksuale me të mitura), shtetases M. D., në lagjen nr. 18.
Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, një sasi lënde narkotike heroinë dhe një peshore elektronike që shërbente për ndarjen e lëndës narkotike, në doza, sende të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale u referuan materialet shtesë në Prokurori, për shtetasin A. Ll., si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. D., 64 vjeçe, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.