Aktualitet
Sulme terroriste në Kosovë? Ja paralajmërimi i politikanit serb
Politikani serb, Boban Bogdanoviç tha se presidenti Aleksandër Vuçiç ishte pjesë e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe nga kjo është e thjeshtë për t’u kuptuar që ka pasur si synim të nisë destabilizimin e veriut të Kosovës. Sipas tij, qëllimi i Vuçiç ishte të krijonte një krizë ndërkombëtare të armatosur në mënyrë që të vendoste protektorat në veriun e Kosovës, me qëllimin që të forconte pozitën e vet në negociatat me Kosovën dhe në bisedimet me Quintin dhe Britaninë e Madhe. “Unë kam shprehur dyshimet e mia, por jam gati i sigurt se në periudhën që po vjen do të ketë incidente të ngjashme në veri të Kosovës, sepse ekskluzivisht i konvenon Aleksandër Vuçiçit që të ketë situatë jostabile, në mënyrë që të ketë potencial për të ikur nga obligimet ndaj bashkësisë evropiane, pra që t’i ikë njohjes së pavarësisë së Kosovës. Unë po përmend një gjë që ia kam thënë edhe bashkësisë ndërkombëtare, dhe që e kam ndarë në platformën X. Ju kujtohet fjalimi i Vuçiçit në OKB, në të cili ai tha se po u drejtohet shteteve dhe kombeve të vogla. Ai ishte sinjal i qartë për Palestinën, dhe për të gjitha territore tjera që kanë potencial të madh terrorist, që të nisin lëvizjet e tyre “çlirimtare”, ashtu siç e provoi Milan Radojçiç me terroristët e tij në veri të Kosovës,” – deklaroi Bogdanoviç. Politikani serb, tha se ishte atmosfera e rënduar politike në Serbi ajo që e detyroi atë të largohej nga vendi dhe të kërkonte azil. Ai gjithashtu theksoi se pavarësisht që ishte vendim shumë i vështirë, duhej marrë për shkak të sigurisë së tij personale dhe të familjes së tij. Opozitari tregoi se azilin politik e ka kërkuar në një vend të Bashkimit Europian dhe nga aty do të vijojë të punojë për përmirësimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve, konkretisht popullit të Kosovës dhe të Serbisë. “Ka qenë një vendim shumë i vështirë për mua, por ka qenë e vetmja rrugë për të ruajtur jetën time, duke marrë parasysh që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç bashkë me drejtorin e Shërbimit Informativ të Serbisë, Aleksandër Vulin dhe me grupin kriminal të cilin e udhëheqin Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radojçiç, ka vendosur që me mua të ballafaqohet vetëm në atë mënyrë që të më marrë jetën. Prandaj, sapo kam marrë këtë informacion, brenda natës jam larguar nga Serbia,” – u shpreh Bogdanoviç.